Gjyqi ndaj Hashim Thaçit: Deklaratat hyrëse për pengim të drejtësisë

Më 27 shkurt, deklaratat hyrëse për rastin e Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Ata akuzohen për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, e cila është konfirmuar nga gjykata më 29 nëntor 2024, të akuzuarit dyshohet se gjatë periudhës prill-nëntor 2023 kanë ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria për çështjen gjyqësore për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”. Hashim Thaçi akuzohet se u ka dhënë informacione konfidenciale bashkëpunëtorëve të tij dhe i ka udhëzuar ata për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë prezantimin e provave.

Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Lidhur me çështjen për krime lufte, javën e kaluar janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse. Gjatë tyre, mbrojtja ka argumentuar se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që të katërtit të shpallen fajtorë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim, ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë. Pritet gjithashtu një protestë, e cila sipas organizatorëve, do të adresojë trajtimin jo dinjitoz të të akuzuarve në Hagë.

Scroll to Top