Negociatat SHBA-Rusi-Ukrainë në Gjenevë, Trump i bën thirrje Kievit

Sot negociatat me Rusinë në Gjenevë, Trump paralajmëron: Ukraina duhet të ulet në tryezë shpejt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Ukrainën se duhet të heqë dorë shpejt nga qëndrimi i saj i palëkundur në negociatat për të zgjidhur konfliktin me Rusinë.

Këto komente u bënë përpara bisedimeve që do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës, mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës. Më parë, palët kanë zhvilluar dy takime trepalëshe në Abu Dhabi gjatë muajit janar.

Çështjet territoriale, konkretisht refuzimi i Ukrainës për të hequr dorë nga Donbasi, mbeten pika kryesore që pengojnë përparimin drejt paqes.

Kur u pyet të hënën për pritjet nga negociatat zvicerane, Trump u shpreh se ato do të jenë “shumë të mëdha”. “Ukraina duhet të ulet në tryezë shpejt. Kjo është e gjitha që po ju them… ne duam që ata të vijnë,” këmbënguli presidenti.

Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën, Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky përjashtoi sërish çdo lëshim territorial, duke deklaruar se “do të ishte një iluzion të besohej se kjo luftë tani mund të përfundojë në mënyrë të besueshme duke e ndarë Ukrainën.”

Në vend të kësaj, ai kërkoi më shumë armë nga mbështetësit evropianë të Kievit dhe bëri thirrje që Ukraina të përfshihet në NATO, një kërkesë kjo që konsiderohet si një vijë e kuqe nga Moska.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha më parë se vetëm disa çështje të vështira mbeten për t’u trajtuar nga palët në Gjenevë. “Lajmi i keq është se ato janë ngushtuar në pyetjet më të vështira për t’u përgjigjur,” theksoi ai.

Scroll to Top