Bisedimet me amerikanët, Teherani kërkon dy javë kohë
Zyrtarët amerikanë u shprehën optimistë pas bisedimeve të zhvilluara këtë të martë në Gjenevë me përfaqësuesit iranianë. Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara do të presin propozime të hollësishme nga qeveria iraniane për të adresuar dallimet mes qëndrimeve të dy vendeve, brenda afatit dyjavor të kërkuar nga Teherani.
“U bë përparim, por ka ende shumë detaje për t’u diskutuar. Iranianët thanë se do të kthehen në dy javët e ardhshme me propozime të detajuara për të adresuar disa nga boshllëqet e hapura në qëndrimet tona”, tha një zyrtar amerikan.
Rezultati duket pozitiv, por vjen në një kohë kur ushtria amerikane vazhdon të forcojë pozicionin e saj në Lindjen e Mesme. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar Iranin për një rezultat “shumë traumatik” nëse nuk arrihet një marrëveshje në javët e ardhshme.
Iranianët kanë lënë të kuptohet nëpërmjet ndërmjetësve, para bisedimeve, se mund të transferojnë disa nga rezervat e tyre të uraniumit në Rusi dhe se do të jenë të hapur për marrëveshje ekonomike me SHBA-në si pjesë e një marrëveshjeje të re bërthamore. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto çështje specifike u diskutuan në bisedimet e së martës, sipas burimeve.
Iranianët kanë sinjalizuar gjithashtu se do të jenë të hapur për të ndaluar pasurimin për një periudhë kohore, por kanë theksuar se një ndalim i përhershëm i pasurimit është i papranueshëm, thanë burimet.
