Sulm ndaj protestuesve anti-qeveritare në Novi Sad

Protestat në Serbi: Studentët akuzojnë mbështetësit e Vuçiç për sulm gjatë protestës

Të paktën tre protestues antiqeveritarë u lënduan mbrëmjen e 16 shkurtit gjatë incidenteve të ndodhura në qendër të Novi Sadit. Në të njëjtin vend, por të ndarë nga kordone policore, zhvillonin protestën njëkohësisht edhe mbështetës të pushtetit.

Studentët, organizatorë të protestës kundër Qeverisë së Serbisë, akuzuan mbështetësit e pushtetit se i sulmuan para ndërtesës së Teatrit Kombëtar Serb. Sipas tyre, disa persona të veshur me të zeza i kanë goditur me shqelma, i kanë shtyrë dhe rrahur, ndërsa policia fillimisht nuk ka reaguar.

Në atë kohë, brenda ndërtesës së teatrit po zhvillohej një akademi solemne me rastin e 200-vjetorit të themelimit të institutit kombëtar serb “Matica srpska”. Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, si dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë ministra dhe kryetarin e qytetit të Novi Sadit.

Ngjarja u zhvillua ndërsa protestat kundër Qeverisë në Serbi vazhdojnë prej më shumë se 15 muajsh. Ato nisën pas një incidenti në stacionin hekurodhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona në nëntor të vitit 2024. Protestat filluan me thirrje për përgjegjësi, duke evoluar më pas në kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe dorëheqjen e pushtetit.

Disa qindra mbështetës të partisë në pushtet u mblodhën në hyrje të ndërtesës së teatrit, rrethuar nga forca të shumta policore, të cilat pengonin protestuesit antiqeveritarë të afroheshin.

Dëshmitarët i thanë gazetares së Radios Evropa e Lirë se, në një moment, mbështetësit e pushtetit u vërsulën drejt një grupi studentësh dhe gazetarësh para teatrit.

“Nuk e di se si filloi, ndoshta i njohën që ‘nuk ishin nga grupi i tyre’. Pashë një djalë që po e godisnin në kokë, një vajzë e rrëzuan në tokë dhe e shqelmuan. I rrahën për një kohë. Pastaj, policia filloi të ndërhyjë dhe ta shoqërojë grupin që ishte sulmuar në anën tjetër të kordonit”, tha Igori nga Novi Sadi.

Studentët antiqeveritarë publikuan në rrjetet sociale video nga pjesë të sulmit. Një nga videot, e publikuar në Instagram, shoqërohej me përshkrimin: “Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) sulmuan kolegët tanë”. Nga kjo parti, deri më tash, nuk ka pasur reagim.

Scroll to Top