Ish-golashënuesi më i mirë i Premier Ligës ka një këshillë për Anis Mehmetin: Po të isha shoku i tij i skuadrës…
Ish-sulmuesi i njohur anglez, Kevin Phillips, fitues i “Këpucës së Artë” në Premier Ligë në vitin 2000, mendon se Anis Mehmeti nuk duhet të kishte lëshuar deklarata si ato në ditët e tij të para te Ipsuiç. Pas fitores ndaj Derbi Kaunti, ku ai ishte protagonist me të dy golat, futbollisti shqiptar deklaroi se skuadra e tij ishte “më e forta në kampionat”.
Sipas Phillips, një deklaratë e tillë do t’i krijojë më shumë probleme klubit.
“Jo, nuk janë, pasi nuk janë në majë të klasifikimit,” u shpreh Phillips. “Mos të keqkuptohemi, janë një skuadër shumë e mirë. E kam thënë shumë herë që pres që të jenë në fund të kampionatit afër dyshes së parë, për të mos thënë një prej dy skuadrave aty. Por Coventry dhe Middlesbrough janë skuadrat më të mira në kampionat për momentin pasi gjenden në dy vendet e para.”
Ai shtoi: “Unë e kuptoj pse Mehmeti doli dhe e tha një gjë të tillë, por është një deklaratë e madhe, pasi për momentin nuk janë në majën e klasifikimit. Nëse unë do të isha një nga shokët e skuadrës së tij, me shumë mundësi do i thosha që të mos e bënte atë lloj deklarate, pasi tashmë do të kthehesh në një objektiv për të tjerët javë pas jave.”
