Gjyqtari Gerd Hoxha Fiton Të Drejtën Për Të Vazhduar Gara Pas Skualifikimit Për Një Foto Me Veliajn
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Figurës dhe i ka dhënë gjyqtarit Gerd Hoxha të drejtën për të vazhduar garën për në Gjykatën Antikorrupsion (GJKKO). Vendimi u mor me 7 vota pro dhe 3 kundër gjatë mbledhjes së sotme të KLGJ.
KLGJ mori vendimin duke u bazuar në urdhërimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese për të lejuar kandidatin të vazhdonte garën. Me këtë vendim, KLGJ ka kualifikuar gjyqtarin Hoxha, duke anuluar kështu vendimin e Komisionit të Posaçëm të SPAK. Ky komision, i përbërë nga anëtarët Behar Dibra, Ened Nakuci dhe Elton Kërluku, më parë kishte vendosur të mos e lejonte gjyqtarin të vazhdonte garën drejt GJKKO, duke e konsideruar të papërshtatshëm.
Arsyeja e refuzimit nga Komisioni i Posaçëm ishte një fotografi e shkrepur gjatë festës së Ambasadës Britanike. Në këtë fotografi, gjyqtari Hoxha, i cili ishte i pranishëm së bashku me shumë personalitete të tjera, shihej duke i dhënë dorën kryetarit të bashkisë, Erion Veliajt.
