“`html
BE shqetësohet për ndryshimet në kod, por trajtimi ndaj Ramës është më i butë se ndaj Vuçiçit
Dosja e ministres Belinda Balluku po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në Bruksel. Megjithatë, komunikimi publik drejt Tiranës mbetet ende i butë.
Bashkimi Evropian ka rritur nivelin e alarmit lidhur me pengimin e drejtësisë nga ana e kryeministrit Edi Rama, me qëllim mbrojtjen e zv/kryeministres Belinda Balluku. Pas një deklarate fillestare ku kërkohej trajtimi i menjëhershëm i imunitetit të saj, Brukseli ka dalë me një të dytë lidhur me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Këto ndryshime synojnë t’u japin imunitet ministrave kundrejt pezullimit, një garanci që nuk sigurohet as nga vetë Kushtetuta.
Menjëherë pasi Edi Rama paraqiti para grupit parlamentar nismën e tij personale për të ndryshuar nenin 242 të Kodit Penal, BE-ja theksoi tre pika kryesore:
- Së pari, se kjo nismë nuk ishte paraprakisht e dakordësuar me Brukselin, duke shprehur shpresën që ajo të jetë në përputhje me standardet evropiane.
- Së dyti, duke kritikuar retorikën që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit, prokurorisë dhe integritetit e pavarësisë së tyre.
- Së treti, duke kërkuar trajtimin pa vonesë të çështjes së imunitetit të Ballukut, në kundërshtim me qëndrimin e Ramës, i cili deklaroi se kjo çështje nuk ka urgjencë.
Bashkimi Evropian i ka cilësuar këto koncepte si “…parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”. Prandaj, nuk ka më asnjë dyshim se sa i përket reformës në drejtësi, rasti Balluku ka krijuar një ndarje mes Ramës dhe përfaqësuesve evropianë. Pyetja që shtrohet është: sa e thellë është kjo ndarje dhe deri ku mund të ndikojë në pushtetin e Tiranës?
Për të kuptuar më mirë këtë situatë, është vërejtur reagimi i Brukselit ndaj ngjarjeve në Serbi dhe përpjekjeve të ish-partnerit të Edi Ramës, Aleksandar Vuçiç, për të kufizuar kompetencat e drejtësisë në vendin e tij përmes ndryshimeve ligjore. Presidenti i Serbisë miratoi në fund të janarit një paketë ligjore për gjyqësorin, ngjashëm me nenin 242 në Shqipëri, pa debat publik dhe pa konsultime me gjyqtarët, prokurorët apo Bashkimin Evropian. Këto ndryshime synonin rritjen e kontrollit politik mbi gjykatat dhe prokurorinë.
BE-ja reagoi menjëherë dhe ashpër. Komisioni Evropian i cilësoi ndryshimet si “një hap serioz prapa në procesin e integrimit evropian të vendit”. Pas miratimit të tyre, komisionerja për zgjerimin, Marta Koss, kërcënoi Beogradin se, nëse nuk tërhiqte ndryshimet ligjore, BE mund të pezullonte një kredi prej 1.6 miliardë eurosh për Serbinë. Ajo deklaroi më 13 shkurt se “Këto (fonde) kanë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit.”
Krahasimi tregon qartë diferencën. Nga njëra anë, çështja Balluku po kthehet në mollë sherri mes Ramës dhe Evropianëve. Përveç deklaratave të përmendura, kjo u konfirmua edhe të mërkurën e kaluar në Tiranë, ku kreu i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Penal, theksoi se “nuk duhet të preket Reforma në Drejtësi”. Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, deklaroi se “Çështja Balluku është një test kritik për Shqipërinë për adresimin e korrupsionit.”
Evropianët tashmë i kanë dalë përballë Ramës në trajtimin e kësaj çështjeje delikate. Megjithatë, nëse krahasojmë qëndrimin ndaj tij dhe Vuçiçit, duket qartë se për përpjekje të ngjashme për ndërhyrje në drejtësi, të dy liderët trajtohen ndryshe. Ndaj rastit të Shqipërisë nuk ka kërcënime për ndërprerje fondesh, as etiketime për kthim mbrapa në procesin e integrimit. Paralajmërimet janë më të buta dhe trajtimi më delikat. Kjo mund të jetë për shkak të lobimit, sepse Rama ende konsiderohet si personi i tyre, ose sepse ende mendohet se “është një bashkëpunëtor i dëgjueshëm”.
Pra, mes Tiranës dhe Brukselit problemi Balluku vijon, por ende nuk ka kaluar në fazën e konfliktit.
“`
