“`html
Shpallet fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka njoftuar se është shpallur fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren. Ky aks, i cili pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në veriun e vendit, është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe lidh veriun e Shqipërisë me pjesët e tjera të vendit.
Ministri theksoi se procedura për dhënien e këtij projekti ka qenë sfiduese, pasi ka pasur përpjekje të mëparshme që nuk janë finalizuar me sukses. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka tentuar disa herë ta japë këtë segment me koncesion, por për arsye të ndryshme nuk është arritur finalizimi.
Vlera e koncesionit, sipas publikimit të procedurës, ishte 364 milionë euro pa TVSH, me një kohëzgjatje kontrate prej 35 vjetësh.
Përshkrimi i Rrugës
Sipas dokumenteve të Ministrisë, gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë – Shkodër, në Balldre.
Segmenti ekzistues që shërben për drejtimin nga Miloti në Balldre dhe zonat përreth, aktualisht është me dy drejtime. Ky segment ka një gjatësi më të madhe se propozimi i ri dhe parametrat teknikë janë të një niveli të ulët. Rruga ekzistuese kalon nëpër qytetin e Lezhës, duke shkaktuar trafik të rënduar, kohë më të gjatë udhëtimi dhe konsum më të madh karburanti.
Seksionet ekzistuese funksionojnë brenda kapacitetit të tyre, por gjatë periudhave të caktuara, sidomos gjatë sezonit veror, mbingarkohen jashtë kapacitetit, për shkak të frekuentimit të plazheve në zonë (Shëngjin, Tale, Velipojë) dhe portit të Shëngjinit. Parashikimet tregojnë se kapaciteti do të tejkalohet së shpejti, duke rritur numrin e automjeteve dhe duke pamundësuar përballimin e tyre nga rruga ekzistuese.
Autostrada e re do të shtrihet nga Miloti në Balldre si vazhdim i autostradës Kashar-Thumanë-Milot. Ky segment, me gjatësi rreth 17 km, do të përmirësojë infrastrukturën nga kategoria “C” në autostradë të kategorisë “A”.
Aksi i propozuar do të plotësojë karakteristikat e një autostrade të kategorisë A dhe do të përfshijë:
- Një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi.
- Një ndarëse korsish dhe korsi emergjence.
- Bankinë.
- Tunel me dy tuba.
- Vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin.
- Vepra arti të vogla.
- Rrugë paralele të kategorisë F2.
- Nyje në disnivel me rrugë lidhëse.
- Rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C”, jo më pak se 1 km nga aksi kryesor.
- Infrastrukturë operimi dhe mirëmbajtje, duke përfshirë kabina, sistemin e portave të automatizuara për hyrje-dalje, sensorë trafiku, sistem elektronik për mbledhjen e tarifave dhe monitorimin e trafikut, servera për përpunimin e të dhënave, si dhe elementë të tjerë të nevojshëm për ofrimin e shërbimeve.
“`
