Shqiptari në kërkim prej 13 vitesh nga Greqia për vrasje, arrestohet në Itali.
Një 47-vjeçar shqiptar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar prej 13 vitesh, është arrestuar në Itali. Ai u vu në pranga sapo zbriti në aeroportin Rimini Fellini nga një avion që vinte nga Tirana.
Sipas raportimeve të mediave italiane, shqiptari kërkohej nga autoritetet gjyqësore greke për një vrasje dhe tentativë vrasjeje të kryer në vitin 2012. Pas vrasjes së një bashkëatdhetari të tij dhe plagosjes së rëndë të një tjetri, 47-vjeçari u shpall në kërkim, ndërsa dyshimet ishin se ai fshihej në Greqi ose Shqipëri.
Falë përpjekjeve hetimore të policisë kufitare të Riminit, ai u ndalua sapo kaloi kontrollin e dokumenteve. Pas arrestimit, u transferua në burgun e Riminit, në pritje të një seance në Gjykatën e Apelit të Bolonjës, ku do të shqyrtohet ekstradimi i tij drejt Greqisë.
