Sistemet IT qeveritare jashtë funksionit, afektohen tenderat

Sistemi AFMIS i Financave jashtë funksionit, APP: Pajisuni me numër transaksioni për tenderat

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka njoftuar se institucionet publike duhet të pajisen me numër transaksioni për procedurat e prokurimit. Shkak për këtë masë është mosfunksionimi i Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar të Shqipërisë (AFMIS).

Procedura e mirëmbajtjes së sistemit AFMIS është peng i procedurave të prokurimit që prej korrikut të vitit të kaluar. Në njoftimin e shkurtër të APP-së sqarohet se kjo praktikë, që institucionet duhet të ndjekin, lidhet me një urdhër të datës 4 shkurt.

“Njoftohen të gjithë Autoritetet/Entet Kontraktore buxhetore të cilët për zhvillimin e procedurave të prokurimit duhet të pajisen me numër transaksioni nga dega e thesarit, se: Referuar Urdhër Nr.18 Prot., datë 04.02.2026 “Për vijimin e procesit të ekzekutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026, në kushtet e mosfunksionimit të Sistemit Afmis”, të Ministrisë së Financave, autoritetet/entet kontraktore duhet të kërkojnë në adresën e email-it, heqjen e integrimit me AFMIS me qëllim vijueshmërinë e hapave të mëtejshëm të procedurës”, thuhet në njoftim.

Tenderi i AFMIS ende i pafinalizuar

Kohët e fundit, sistemet e informacionit të institucioneve po tregojnë dobësi të theksuara, të lidhura me faktin se kontratat e tyre të mirëmbajtjes nuk po arrijnë të finalizohen, madje as ato që lidhen me shërbimin e internetit.

Tenderi “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave” u çel në mes të korrikut të vitit të kaluar me një fond limit rreth 1.7 milionë euro. Por, ashtu siç ka ndodhur me procedurat e tjera të AKSHI, edhe ky tender ka kaluar në një sërë ankimimesh, ku për më të fundit, Komisioni i Prokurimit Publik dha vendimin në 27 janar, duke rrëzuar ankesën.

Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me procedurën dhe në cilën fazë është ajo. E njëjta gjë mbetet edhe për procedura të tjera që lidhen me sistemet e IT, të cilat kanë kohë që zvarriten mes ankesash dhe pezullimesh në KPP. Herë autoriteteve u është dhënë “ok” për të vazhduar dhe herë janë kthyer për rishikim apo rivlerësim.

Scroll to Top