Aeroporti i Vlorës bllokohet: Minderët kontrollojnë shumicën?

Apeli në dyshim të ardhmen e aeroportit të Vlorës, investim me miliona euro në duart e 2%

E ardhmja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është futur sërish në një spirale pasigurie, pasi Gjykata e Apelit ka dhënë një vendim që, sipas burimeve pranë çështjes, i jep përparësi ortakut minoritar me 2% të aksioneve. Ky vendim zgjat bllokimin e projektit dhe lë në pikëpyetje funksionimin e një investimi strategjik për jugun e vendit.

Vendimi i fundit bie në kontrast me një qëndrim të mëparshëm të po kësaj gjykate, e cila dy muaj më parë zhbllokoi situatën në favor të aksionerit të shumicës, kompania MABCO Construction, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli. Në atë kohë, Apeli orientoi zgjidhjen drejt respektimit të strukturës së pronësisë dhe vendimmarrjes sipas peshës reale të aksioneve.

Këtë herë, megjithatë, vendimi i ri ka rikthyer fuqinë e vendimmarrjes në duart e një subjekti që zotëron vetëm 2% të kapitalit. Ky fakt lë në pritje dhe në praktikë të bllokuar aksionerin që zotëron 98% të kompanisë koncesionare, sipas të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

98% pronësi, 80 milionë euro investim, por pa kontroll

Sipas dokumenteve të depozituara më herët dhe të raportuara në mënyrë të përsëritur, MABCO ka investuar deri tani dhjetëra miliona euro në projekt. Ajo ka lënë në kolateral prona dhe asete të saj për financimin e ndërtimit dhe rezulton me pronësi të 98% të aksioneve të shoqërisë që menaxhon aeroportin. Në praktikë, kjo do të thotë se kompania që mban barrën financiare dhe riskun ekonomik të projektit është sot e privuar nga ushtrimi i plotë i të drejtave të saj si aksioner shumice.

Deri më sot, nuk është bërë publik ndonjë mekanizëm statutor që të justifikojë një përmbysje kaq drastike të raportit 98% me 2%. Ky precedent e zhvendos çështjen nga një konflikt mes ortakësh në një debat më të gjerë mbi sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.

Një minoritar që bllokon shumicën

Rasti në fjalë është i pazakontë për praktikën korporative. Një ortak me 2% të kapitalit, 2A Group e lidhur me Valon Ademin, rezulton të ketë arritur të bllokojë vendimmarrjen e një projekti që përfaqëson një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend vitet e fundit.

Më herët janë evidentuar lidhjet e biznesit mes Valon Ademit dhe Arbër Abazit, ky i fundit i afërt familjarisht me ish-ministren. Këto marrëdhënie shtojnë dyshimet mbi sfondin real të konfliktit, pas të cilit qëndrojnë ata që shpërndajnë tenderat dhe koncesionet në vendin tonë.

Aeroporti i Vlorës është promovuar si projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së jugut. Çdo zvarritje gjyqësore përkthehet në kosto financiare, pasiguri për kontraktorët dhe sinjal negativ për investitorët e huaj.

Vendimi i fundit i Apelit nuk i jep drejtim përfundimtar konfliktit, por përkundrazi e zgjat atë, duke e lënë të pezulluar ushtrimin efektiv të kontrollit nga aksioneri i shumicës dhe duke shtyrë në kohë çdo zgjidhje të qartë. Nëse situata mbetet në këtë gjendje, rreziku nuk është vetëm për MABCO-n si aksioner me 98%, që gjendet përballë një konfiskimi de facto, por për vetë projektin dhe për reputacionin e Shqipërisë si destinacion investimesh.

Pyetja që mbetet pas pozicionimit të gjykatave është thelbësore: Si është e mundur që një investitor që zotëron pothuajse të gjithë kapitalin, që ka vënë në risk dhjetëra miliona euro dhe që rezulton me 98% pronësi të regjistruar, të mos mund të ushtrojë kontrollin e tij, ndërsa një minoritar me 2% të mbajë peng vendimmarrjen?

Përgjigjia, si shpeshherë në Shqipëri, nuk duhet kërkuar në klauzolat juridike, por tek konjukturat politike dhe mbi të gjitha, tek mungesa e shtetit të së drejtës.

Scroll to Top