Osmani në SHBA: Partneritet strategjik me Rubion, synim NATO

Presidentja Osmani pritet nga Marco Rubio në Departamentin e Shtetit; kryeministri Rama nuk takoi askënd

Gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C., me rastin e 18-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Departamentin e Shtetit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për ftesën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i bëri Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues. Ajo falënderoi gjithashtu për garancitë e forta për paqen në rajonin tonë, dhënë nga Presidenti Trump, dhe në këtë kontekst, falënderoi Sekretarin Rubio për udhëheqjen dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces.

Gjatë takimit u diskutuan çështje thelbësore të partneritetit strategjik, duke përfshirë:

  • Sigurinë rajonale dhe diplomacinë
  • Ekonominë dhe mbrojtjen

Presidentja Osmani theksoi veçanërisht proceset me rëndësi jetike për stabilitetin rajonal, siç janë:

  • Fuqizimi i partneritetit strategjik Kosovë–SHBA
  • Anëtarësimi i Kosovës në NATO
  • Rëndësia strategjike e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë
  • Hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje

Presidentja falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ajo nënvizoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në këtë frymë, ajo theksoi se rruga natyrore e partneritetit strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, një proces i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë.

Presidentja gjithashtu nënvizoi rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–SHBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Mbi të gjitha, ajo theksoi se partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke theksuar prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.

Scroll to Top