Ish-deputetja e PD-së: Më qëlluan me plumb gome në kokë nga kryeministria
Përfaqësues të opozitës ngritën sërish pretendimin se policia ka përdorur plumbat e gomës ndaj qytetarëve në protestën e kësaj të premteje. Kandidatja për deputete e PD në qarkun e Shkodrës, Senada Mehmeti, tha se dyshon që ishte qëlluar me plumb gome në kokë.
“Gjatë kohës që Berisha po mbante fjalimin, kam qenë në rreshtin e parë pa bërë asgjë. Nga pozicioni ku jam, dyshoj që plumbi ka ardhur nga tarraca e Kryeministrisë. Unë isha në të majtë të skenës. Pas mjekimit, do vazhdoj protestën. Asgjë s’na ndal neve”, – tha kandidatja për deputete e PD-së.
Për këtë ka reaguar edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
“E kanë gjuajtur me plumb gome kandidaten tonë për deputete, protestuesen paqësore. Këta po tejkalojnë çdo vijë të kuqe dhe do marrin ndëshkim shembullor për qëndrimin që mbajnë. Protesta nuk mbyllet këtu, do të vazhdojë dhe kjo protestë shënon një stad tjetër nga protestat tona. Këta që gjuajnë protestuesit paqësorë do përballen me ndëshkimin”, – tha Berisha.
