Pse po bie rruga Librazhd-Qafë Thanë? Faji i kompanisë që po ndërton….
Gazetari Mentor Kikia ngre pyetjen: Përse po bie rruga Librazhd-Qafë Thanë?
Ai thekson se rruga Elbasan-Qafë Thanë, e ndërtuar rreth 25 vjet më parë nga një kompani maqedonase, ka qenë ndër më cilësoret dhe më të sigurtet, duke mos pasur asnjë problem apo dëmtim në asfalt për kaq gjatë, edhe pse pa mirëmbajtje.
Sipas Kikiës, anomalitë e krijuara së fundmi në këtë aks rrugor duhen kërkuar tek kompania që po ndërton rrugën e re, Korridorin e 8. Ai pretendon se kjo kompani ka kryer dëme të mëdha mjedisore mbi lumin Shkumbin.
Prej Rrogozhinës e deri në vendin ku po shembet ura, rruga po ndërtohet me zhavorr lumi, duke masakruar dhe shkatërruar tërësisht shtratin e lumit. Kompania ka gërryer çdo përrua për të marrë materiale inerte.
Kikia vë në dyshim përdorimin e zhavorrit të lumit me gurë të rrumbullakët dhe të lëmuar për shtratin e rrugës, duke lënë përgjigjen në dorë të inxhinierëve.
Ai gjithashtu thekson se shembjet e rrugës ekzistuese kanë ndodhur pikërisht aty ku po ndërtohet traseja e re. Kikia përfundon duke thënë se çdo dëmtim ka një kosto financiare, të cilën nuk duhet ta paguajnë qytetarët.