Ish-kryeministri i Norvegjisë Thorbjorn Jagland, i akuzuar në dosjen “Epstein”, tentoi vetëvrasjen.
Ish-kryeministri norvegjez dhe ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland, ndodhet në spital pasi tentoi të kryente vetëvrasje. Incidenti vjen në një kohë kur policia norvegjeze po e heton për “korrupsion të rëndë”, lidhur me marrëdhëniet e tij të mëparshme me financuesin amerikan Jeffrey Epstein. Epstein, i dënuar për vepra seksuale dhe i akuzuar si shfrytëzues, kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019.
Media norvegjeze ka qenë e rezervuar dhe nuk ka zbardhur detaje rreth dinamikës apo rrethanave të ngjarjes, sikundër edhe autoritetet. Ndërkohë, Instituti Norvegjez i Nobelit i ka kërkuar Jaglandit një shpjegim zyrtar për çdo përfitim financiar që dyshohet se ka marrë nga Epstein gjatë periudhës kur ishte anëtar i komitetit të Nobelit.
Në dosjen “Epstein” emri i Jagland përmendet edhe në lidhje me Shqipërinë. Mesazhet e tij, sipas informacioneve, përmendin se “Në Tiranë ka vajza të jashtëzakonshme”, duke iu referuar vizitave që ai kishte kryer në Shqipëri në kuadër të aktiviteteve zyrtare të Këshillit të Evropës.
Drejtori i Institutit të Nobelit, Kristian Berg Harpviken, ka deklaruar publikisht se çdo transaksion financiar i rëndësishëm gjatë periudhës në fjalë do të përbënte shkelje të kodit të etikës.
Sipas gazetës norvegjeze Verdens Gang, e cila citon dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Jagland dyshohet se i ka kërkuar Epstein të garantojë blerjen e një apartamenti, pa u bërë i ditur rezultati i kësaj kërkese. Të njëjtat dokumente theksojnë se Jagland është pritur në rezidencën e Epstein në Neë York në vitin 2018, si dhe në apartamentin e tij në Paris në vitet 2015 dhe 2018. Përveç kësaj, ish-kryeministri dhe familja e tij dyshohet se kanë planifikuar një udhëtim në ishullin privat të Epstein në vitin 2014, i cili, megjithatë, nuk u realizua.
Ministria e Jashtme Norvegjeze ka njoftuar se do t’i kërkojë Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit të Jaglandit, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i kësaj organizate.
Politikani 75-vjeçar ka mbajtur detyra të rëndësishme: Kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997, President i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen nga viti 2009 deri në vitin 2015, dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019.
