MLS zgjedh 16-vjeçarin shqiptar në formacionin e javës: Ishte fantastik, vështirë të ketë hedhur një hap gabim!
Debutimi i 16-vjeçarit shqiptar si titullar në javën e parë të MLS me ekipin Red Bull Nju Jork ka lënë të gjithë të habitur. I riu luajti 76 minuta në mesfushë, duke treguar një performancë thuajse të pagabueshme dhe duke dhënë një asist në fitoren 2-1 të skuadrës së tij. Ky performancë bëri që MLS ta përzgjidhte atë në artikullin për debutuesit e javës.
Artikulli në fjalë vlerëson performancën e Mehmetit si “fantastike”, duke theksuar se Red Bull Nju Jork fitoi me meritë 2-1 ndaj Orlando Siti. Mesfushori 16-vjeçar, i formuar në akademinë e klubit dhe pjesë e ekipit kombëtar të moshave të SHBA, debutoi me ekipin e parë dhe në 76 minutat e tij në fushë, vështirë të ketë bërë një hap të gabuar. Ai u inkuadrua në lojë kur ishte e nevojshme, shpërndau pasime që thyenin vijën mbrojtëse dhe asistoi për golin e dytë të Julian Hall, duke qenë një nga tre titullarët e moshës 17 vjeç e poshtë.
Fakti që trajneri Majkëll Bredlei, një ish-mesfushor legjendar i SHBA, i besoi këtij të riu një rol kaq të rëndësishëm tregon shumë. Bredlei e ka stërvitur Mehmetin edhe në ekipin RBNY II, i cili fitoi titullin MLS NEXT Pro 2025, duke treguar një njohje të thellë të potencialit të tij.
Për më tepër, Mehmeti u përzgjodh gjithashtu në formacionin ideal të javës së parë të MLS-së. Futbollisti shqiptar, i cili ka qenë pjesë e grumbullimeve të Shqipërisë U15 në vitin 2023, vendosi më pas të përfaqësonte SHBA-në në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, emri i tij mbetet në vëmendjen e FSHF-së, e cila po bën përpjekje për ta sjellë atë përsëri pjesë të ekipeve kombëtare shqiptare.
