Nojer rikthehet, Bajerni drejt titullit

## Bajerni drejt titullit kampion, Nojer rikthehet më shpejt se sa pritej

A do të mundet Manuel Nojer të luajë kundër Borusia Dortmund pas dëmtimit të tij? Shpresat u rritën të hënën, pasi portieri u kthye në stërvitje më herët nga sa ishte parashikuar.

Manuel Nojer pësoi një çarje muskulore në pulpë gjatë ndeshjes kundër Verder Bremen (3-0) pak më shumë se një javë më parë. Ai mungoi jo vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes në Bremen, por edhe në takimin e fundit në shtëpi kundër Ajntraht Frankfurt, të cilin Bajerni e fitoi 3-2. Zëvendësuesi i tij në portë ishte Jonas Urbig.

Për shkak të këtij dëmtimi, pjesëmarrja e portierit numër një të Bajernit në ndeshjen e madhe të së shtunës kundër Borusia Dortmund ishte dhe mbetet në dyshim. Megjithatë, që nga e hëna ka lindur një shpresë e re për rikthimin e tij.

Nojer zhvilloi disa ushtrime individuale në fushë, siç njoftoi klubi. Seanca, megjithëse jo me ngarkesë të plotë, ishte stërvitja e tij e parë pas dëmtimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një rikthimi të mundshëm këtë fundjavë. Stafi mjekësor i Bajernit do të vendosë në ditët e ardhshme nëse portieri është gati për t’u rikthyer plotësisht.

Kapiteni i Bajernit ka zhvilluar 18 paraqitje në Bundesliga këtë sezon, duke mbajtur pesë herë portën e paprekur. Ai gjithashtu arriti të mos pësonte gol në një pjesë loje në Bremen. Në Ligën e Kampionëve, ai ka luajtur shtatë ndeshje, duke pësuar tetë gola dhe duke ruajtur portën të paprekur dy herë.

Ndeshja mes Dortmundit dhe Bajernit gjithmonë karakterizohet nga një tension i veçantë. Megjithatë, pas barazimit 2-2 të Dortmundit në Lajpcig të shtunën, tensioni është zbutur disi. Bajerni kryeson kampionatin me tetë pikë epërsi dhe është në rrugë të mirë për të siguruar një tjetër titull kampion.

Për Borusia Dortmundin, vetëm fitorja mund të mbajë gjallë shpresat e pakta për titullin. Rekordi i tyre në shtëpi në Bundesliga u jep arsye për optimizëm, pasi ata nuk kanë pësuar humbje në njëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, me nëntë fitore dhe dy barazime.

Të shtunën në mbrëmje do të shihet nëse kapiteni i Bajernit do të jetë gati për “Der Klassiker” apo nëse do të duhet të presë edhe pak për rikthimin e tij.

KLAJDI BAJO – PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top