Gazmend Bardhi: Korrupsioni, jo shiu, po shemb rrugët në Shqipëri
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, ka reaguar në rrjetet sociale kundër deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili krahasoi dëmtimin e rrugëve në Shqipëri me një situatë të ngjashme në Portugali.
Bardhi hedh poshtë këtë krahasim, duke theksuar se Portugalia u godit nga një ciklon me 200 km/orë, ndërsa në Shqipëri bëhet fjalë për reshje sezonale. Ai akuzon Ramën se po përpiqet të fshihet pas këtyre kushteve atmosferike, duke shmangur përgjegjësinë për dëmtimin e infrastrukturës rrugore.
Sipas Bardhit, dëmtimi i rrugëve nuk shkaktohet nga shiu, por nga korrupsioni. Ai sjell si shembull 11 tendera të cilët janë nën hetim nga SPAK, me një vlerë prej 1.1 miliardë euro, të cilat, sipas tij, janë “hedhur në rrugë” për shkak të korrupsionit.
Bardhi i jep edhe një këshillë kryeministrit Rama, duke i sugjeruar që të marrë shembull nga Portugalia për mënyrën se si jepet dorëheqja kur ka hetime. Ai përmend rastin e Antonio Kostës si një shembull për t’u marrë parasysh.
Në reagimin e tij, Bardhi citon gjithashtu një postim të mëparshëm të kryeministrit Rama në X, ku Rama ironizonte opozitën dhe mediat për mungesën e reagimit ndaj dëmtimit të rrugëve, duke e lidhur këtë me korrupsionin dhe “narkoshtetin shqiptar”.
