Asllani te Beshiktashi: Cilësi teknike, mbështetje dhe sukses

Futbollisti i Serisë A zbulon detaje për Asllanin: Beshiktashi kërkoi informacion nga unë për të, cilësi teknike të nivelit të lartë

Transferimi i Kristjan Asllanit te Beshiktashi gjatë merkatos së janarit, erdhi si një surprizë për shumëkënd, duke pasur parasysh se mesfushori i Kombëtares shqiptare kishte refuzuar më parë oferta nga klube të tjera jashtë Italisë.

Megjithatë, duket se Beshiktashi ka pasur një ndërmjetës të veçantë për të arritur marrëveshjen me lojtarin, si dhe një person nga i cili të merrte informacione konkrete mbi mesfushorin.

Emirhan Ilkhan, futbollisti turk që aktualisht luan te Torino, ka rrëfyer për median “TRT Spor” se klubi turk i Beshiktashit, prej të cilit ai u transferua në Serie A në vitin 2022, e kishte kontaktuar për të mbledhur sa më shumë të dhëna për futbollistin shqiptar.

“Asllani ishte një nga personat me të cilët unë kisha marrëdhënie të mira te skuadra. Përfaqësues të Beshiktashit më kontaktuan para transferimit të tij dhe më kërkuan informacione. Cilësia e tij teknike është e nivelit më të lartë. Shpresoj që ai të ketë shumë sukses te Beshiktashi”, ka deklaruar futbollisti turk.

Ai më tej zbuloi se edhe vetë Asllani i kishte kërkuar këshilla.

“I tregova atij për tifozët e Beshiktashit, për Stambollin dhe për ambientet e klubit. Ia shpjegova gjërat edhe me detaje”, shtoi Ilkhan, duke lënë të kuptohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në kalimin e futbollistit shqiptar te klubi turk.

Scroll to Top