Nënë & partner arrestohen në Japoni për braktisje fëmije

Një nënë dhe partneri i saj janë arrestuar në Japoni pasi dyshohet se braktisën djalin e tyre 8-vjeçar në një zonë malore si formë ndëshkimi.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Mishima, prefektura Shizuoka. Sipas raportimeve, çifti, të cilët janë 28-vjeçarë, akuzohet se ka planifikuar ta lënë fëmijën në mal rreth orës 14:00 të së dielës.

Mediat lokale raportojnë se partneri i nënës ka deklaruar se veprimi u krye “për ta ndëshkuar fëmijën”, pasi ai nuk i kishte dëgjuar apo zbatuar udhëzimet e tyre.

Rreth një orë pas braktisjes, 8-vjeçari arriti të kërkonte ndihmë në një kamp të afërt. Një punonjës i kampit njoftoi autoritetet. Ndërkohë, nëna dhe partneri i saj, pasi u kthyen dhe nuk e gjetën djalin, kontaktuan policinë.

Çifti u arrestua të dielën pas konfirmimit se fëmija ishte i sigurt dhe nuk kishte pësuar lëndime fizike. Distanca nga vendi ku u braktis deri te kampi ishte rreth një kilometër. Personat që e ndihmuan fëmijën thanë se ai dukej i shqetësuar kur u gjet.

Policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse fëmija ka qenë subjekt i abuzimit edhe në ambientin familjar.

Scroll to Top