Tensionet në Bulevard: Policia përdor ujë dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve
Tensionet u përshkallëzuan gjatë mbrëmjes në protestën e organizuar nga opozita në Tiranë. Policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve.
Presioni i ujit bëri që disa protestues të rrëzoheshin në tokë, ndërsa pati edhe përplasje fizike me forcat e policisë.
Pas ngjarjeve të ndodhura pranë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ku u hodhën molotovë dhe policia ndërhyri me ujë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u largua drejt selisë së PD-së.
Ndërkohë, një grup protestuesish, shoqëruar nga disa deputetë të PD-së, vijuan të qëndrojnë në bulevard. Flamur Noka dhe Albana Vokshi patën përplasje verbale me kordonin e policisë, duke kërkuar të lejoheshin të kalonin drejt Kryeministrisë.
Situata mbetet e tensionuar, me prani të shtuar të forcave të rendit dhe ndërhyrje të vazhdueshme për shpërndarjen e protestuesve.
