Protesta e PD-së për largimin e qeverisë, reagon kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga opozita, duke ironizuar situatën. Ai ka publikuar në rrjetin social X dy fotografi: njëra nga sulmet amerikane në Iran dhe tjetra, një kosh me plehra që digjet (një pamje nga protesta e zhvilluar sot nga opozita).
Rama ka shoqëruar fotot me komentet: “Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”.
Ndërkohë, gjatë protestës, qytetarët janë përballur me gaz lotsjellës dhe ujë të hedhur nga policia. Një protestues ka humbur ndjenjat pas ekspozimit ndaj gazit. Të tjerë protestues janë përpjekur të kalojnë kordonin e policisë, e cila kishte vendosur barrikada dhe kishte angazhuar Forcat “Shqiponja” dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Protestuesit janë zhvendosur para godinës së policisë së shtetit, pasi më parë kishin qëndruar për rreth 30 minuta në sheshin përballë kryeministrisë.
