Protesta e PD: 4 të arrestuar, procedohet deputeti Klevis Balliu
Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e katër shtetasve të cilët morën pjesë në protestën e organizuar ditën e djeshme nga Partia Demokratike. Gjithashtu, është proceduar edhe deputeti Klevis Balliu.
Sipas njoftimit zyrtar, janë arrestuar shtetasit:
- Leonardo Marku, 20 vjeç
- Robespier Dervishaj, 33 vjeç
- Doris Rista, 21 vjeç
- Sergei Rapo, 36 vjeç
Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Autoritetet kanë referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shtetasin Klevis Balliu, deputet. Ai procedohet pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Gjithashtu, në gjendje të lirë është proceduar një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Policia ka njoftuar se janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
