Rama viziton vilën e Enver Hoxhës: Të vendosen në burg ata që sulmuan
Kryeministri Rama ka komentuar në rrjetet sociale protestën e opozitës të ditës së shtunë dhe sulmin ndaj vilës 31 në ish-Bllok, e njohur si shtëpia e ish-diktatorit Enver Hoxha.
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh fondacioni prestigjioz Art Explora mikprit të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova dhe mbarë bota. I gjeta të traumatizuar nga çmenduria dhe barbaria e mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti njerëzish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një personi rreth të tetëdhjetave, që ka pas ca mbështetës me status deputeti dhe që endet nëpër Tiranë pa u marrë parasysh nga askush!
Gjykatësit që i lironin këta njerëz të rrezikshëm sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto akte vandalizmi që nuk shihen askund në Europë, me bekimin dhe nën mbikëqyrjen e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide dhe programe, por vetëm për plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që nxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”, shkruan Rama.
