“`html
Konflikti në Lindjen e Mesme, operatorët paralajmërojnë rritje deri në 20 lekë për litër edhe në tregun vendas
Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, e shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, pritet të reflektohet në tregun vendas brenda 3-4 ditëve, me një shtrenjtim prej 15-20 lekë për litër.
Pas rritjes së çmimeve në bursat globale, efektet pritet të shtrijnë edhe në tarifat e transportit të mallrave.
Menjëherë pas fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt 2026, i cili u shoqërua me sulme të njëpasnjëshme ushtarake, ndikimi i parë u shfaq me rritjen e çmimeve të naftës.
Në bursat ndërkombëtare, çmimet e naftës u rritën deri në 13%, ndërsa çmimet e gazit arritën 24%. Kjo rritje pasqyron pasigurinë mbi furnizimet dhe tensionet e shtuara në një rajon kyç për prodhimin dhe transportin e energjisë.
Në mesditën e sotme, 2 mars 2026, çmimi i naftës Brent crude në bursë arriti 79 USD për fuçi, krahasuar me 75 USD në orët e para të mëngjesit. Para sulmeve, çmimi luhathej mes 62 dhe 65 USD për fuçi.
Si importuesit e naftës, ashtu edhe kompanitë e transportit nga vendet e rajonit dhe Europa drejt Shqipërisë, duke përdorur rrugën tokësore, raportojnë furnizime me çmime deri në 10% më të larta.
Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve konfirmuan për “Monitor” se ditët menjëherë pas sulmit, furnizimet me naftë ishin me çmim 900 USD për ton, ndërsa më parë ishte 740 USD për ton.
“Shtrenjtimi i çmimeve në bursë pritet të reflektohet brenda 4 ditëve në tregun e pakicës, me një rritje çmimi nga 15 deri në 20 lekë për litër”, thanë nga Shoqata e Hidrokarbureve.
Aktualisht, çmimi i shitjes së naftës në pikat e karburanteve është 170-175 lekë për litër dhe pritet të arrijë 185-190 lekë për litër.
Përfaqësues të Shoqatës paralajmërojnë se në rast të zgjerimit të hartës së sulmeve ose përfshirjes së tyre nga Hamas, çmimet e naftës në bursë mund të arrijnë deri në 110 USD për fuçi, duke ndikuar menjëherë edhe çmimin për konsumatorin vendas.
Do të shtrenjtohen edhe tarifat e transportit të mallrave
Rritja e çmimit të karburantit pritet të ndikojë edhe në tarifat e transportit të mallrave, pasi shpenzimet për naftë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të kostove në këtë sektor.
Kompanitë e transportit të mallrave tregtare po përballen tashmë me çmime deri në 10% më të larta në furnizimet me naftë.
Rodolf Xhillari, administratori i kompanisë së transportit të mallrave me rrugë tokësore “Balkan Trans Albania”, nënvizon se rritja e çmimeve të naftës pritet të sjellë shtrenjtimin e tarifave të transportit të mallrave drejt rajonit dhe vendeve të BE.
Xhillari shpjegon se shpenzimet për naftë përbëjnë 60-70% të totalit të kostove në transportin e mallrave, prandaj është e pamundur që rritja e çmimit të naftës të mos reflektohet te tarifat.
“Me shtrenjtimin e naftës, edhe tarifat për transportin rrugor të mallrave pritet të rriten në të njëjtën masë me rritjen e çmimit të karburantit.”
Rritja e çmimit të naftës pas përshkallëzimit të sulmeve ushtarake nuk është një fenomen i ri. Në mars 2022, pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, çmimi i naftës Brent u rrit ndjeshëm, duke arritur mbi 100 USD për fuçi nga rreth 92 USD para fillimit të luftës, dhe duke shkuar mbi 105 USD për fuçi në ditët e para të konfliktit. Në atë periudhë, rritja e çmimeve ishte nga 8 deri në 12%.
“`
