Dokumenti i Insurance EUROPE: Tregu privat, më efikas për sigurimin e katastrofave natyrore
Shoqata e Siguruesve Shqiptarë ka vënë në dukje një dokument të përgatitur nga Insurance Europe, Federata Europiane e industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve. Ky dokument evidenton rrezikun afatgjatë nga krijimi i skemave ekskluzivisht shtetërore për menaxhimin e katastrofave natyrore.
Insurance Europe mbledh shoqata kombëtare të sigurimeve nga mbi 30 vende dhe përfaqëson mijëra kompani sigurimi në tregun europian. Kjo federatë posedon qindra vite përvojë dhe ekspertizën e profesionistëve kryesorë në menaxhimin dhe studimin e riskut. Ajo ka publikuar dokumentin strategjik studimor të titulluar “Closing the gap, not the market” (Të mbyllim hendekun, jo tregun).
Studimi thekson rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme kur merret në konsideratë vendosja e skemave shtetërore të sigurimit. Megjithëse këto skema mund të sjellin përfitime afatshkurtra, ato zakonisht nuk adresojnë shkaqet themelore të rreziqeve në rritje dhe mund të krijojnë efekte negative në tregun e sigurimeve dhe risigurimeve, duke ndikuar në qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm kur skema është shumë e centralizuar në nivel kombëtar dhe kur kapaciteti i risigurimit është i disponueshëm në tregun privat.
Edhe pse qëllimi për sigurime të përballueshme është i lavdërueshëm, skemat shtetërore nuk mund të jenë po aq efikase sa risigurimi global për shkak të diversifikimit të kufizuar. Risiguruesit globalë, duke diversifikuar rreziqet në vende, kontinente, zona klimatike, rajone tektonike, linja biznesi dhe mjedise ekonomike të ndryshme, ofrojnë një zgjidhje më efektive afatgjat dhe, në aspektin financiar, kapacitete të pakufizuara mbulimi.
Nëse skemat shtetërore fshehin sinjalin e çmimeve të bazuara në rrezik (p.sh., duke ofruar tarifa shumë të larta ose të nënçmuara), zhvillimi i tregut privat të sigurimeve dhe risigurimeve do të pengohet. Kjo do të ulë masat parandaluese dhe mund të bëjë sistemin të paqëndrueshëm, duke kërcënuar edhe aftësinë e tij paguese.
Në kontekstin shqiptar, një skemë shtetërore e “sigurimit të shtëpisë” do të ulte vetëdijen e qytetarëve se tërmeti nuk është rreziku i vetëm. Sigurimet shtesë vullnetare, si ato për zjarret aksidentale, përmbytjet dhe rrëshqitjet, pritet të bien, sipas përvojave dhe pritshmërive të studiuesve kryesorë të kësaj industrie. Kjo do të thotë se skemat shtetërore mund të krijojnë gjithashtu rrezik moral, duke tërhequr rreziqe të veçanta dhe duke rritur humbjet nga katastrofat natyrore, duke reduktuar kështu qëndrueshmërinë e shoqërisë.
Një kombinim optimal do të ishte ai ku industria e (ri)sigurimeve ofron mbulim të bazuar në rrezik, duke stimuluar aktorët privatë të ndërmarrin masa për të përballuar rreziqet e katastrofave natyrore. Nga ana tjetër, shteti mund të përdorë vlerësimin e qartë të rrezikut nga sektori privat për të zbatuar rregulla ndërtimi dhe përdorimi të tokës të detyrueshme, kode ndërtimi të bazuara në zonat e rrezikut dhe investime të synuara në infrastrukturë dhe masa qëndrueshmërie, duke reduktuar ekspozimin ndaj zonave me rrezik të lartë. Në këtë bashkëpunim, të gjithë aktorët mund të harmonizohen për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm dhe financiarisht të besueshëm për menaxhimin e rreziqeve NatCat (katastrofa natyrore).
Rreziqet e mundshme të skemave pastërtisht shtetërore, të identifikuara nga Insurance Europe:
- Rreziku moral: Pagesat e garantuara pavarësisht sjelljes ndaj rrezikut mund t’i bëjnë individët ose bizneset të shmangin sigurimin privat ose masat parandaluese, si barriera për përmbytje ose mbrojtje nga zjarri. Po ashtu, kompanitë e sigurimit mund të marrin qasje agresive, duke transferuar humbjet katastrofike tek shteti. Varësia nga garancia publike mund të dobësojë proceset e hetimit dhe rishikimit të dëmeve.
- Mbulim i subvencionuar ose me çmime të ulëta: Shumë skema shtetërore ofrojnë tarifa uniforme, duke detyruar pronat me rrezik të lartë të paguajnë po aq sa ato me rrezik të ulët. Kjo largon sinjalin financiar që nxit reduktimin e ekspozimit ndaj rrezikut dhe pengon tregun privat. Individët mund të zgjedhin të mbulohen drejtpërdrejt nga shteti, duke reduktuar bazën e klientëve për siguruesit privatë dhe duke penguar funksionimin fitimprurës.
- Pasiguria dhe rreziku rregullator: Ndërhyrjet e paparashikuara nga shteti pas katastrofave (p.sh., kompensime retroaktive ose kufizime çmimesh) krijojnë pasiguri për siguruesit privatë dhe ulin investimet afatgjata dhe inovacionin.
- Zhvillim i kufizuar i tregut: Në vendet me skema shtetërore dominante, tregu privat mund të mbetet i paplotësuar dhe i paaftë të zëvendësojë skemën nëse ajo bëhet e paqëndrueshme. Kjo pengon konkurrencën, inovacionin dhe mekanizmat e sofistikuar të transferimit të rrezikut, si sigurimi parametrik apo bono katastrofash.
- Rikonstruksion në zona të rrezikuara: Skemat shtetërore shpesh financojnë rindërtimin në të njëjtat zona vulnerabël, pa stimuluar zhvendosjen ose përshtatjen, duke rritur ekspozimin dhe kostot afatgjata.
- Presioni politik për ndihmë universale: Qeveritë shpesh ndihen të detyruara të japin ndihmë gjerësisht, edhe për ata që nuk siguruan ose injoruan rreziqet, duke dëmtuar përgjegjësinë personale dhe rolin e sigurimit privat.
- Zgjidhje “një-madhësi-për-të-gjithë”: Diferencat kombëtare në profile rreziku, kulturën dhe strukturat e sigurimeve kërkojnë zgjidhje të personalizuara, jo një garanci qendrore publike.
Studimi analizon përvojat e 27 vendeve të BE-së, duke veçuar 5 vendet më të prekura nga katastrofat natyrore. Mes tyre vërehet një adresim problematik i situatave në ato vende ku skema shtetërore ka elementë më të fortë centralizimi. Hendeku relativisht i lartë i mbrojtjes në Spanjë (60%) dhe Francë (53%), ku ekziston një skemë shtetërore NatCat, krahasuar me Gjermaninë (55%) pa skemë shtetërore, tregon se një skemë shtetërore nuk zvogëlon automatikisht hendekun e mbrojtjes dhe se faktorë të tjerë, si përhapja e sigurimit të banesave dhe përdorimi i shtesave opsionale NatCat, luajnë një rol thelbësor.
Këto kultura të ndryshme të tregut të sigurimeve ilustrohen më tej nga normat e përdorimit të shtesës opsionale për rreziqet natyrore në sigurimet e banesave, që arrijnë rreth 55% në Gjermani dhe nën 10% në Itali, në të gjitha politikat e sigurimit të banesave.
Studimi thekson rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme kur konsiderohet vendosja e skemave shtetërore të risigurimit. Insurance Europe, për përvojën dhe ekspertizën që përfaqëson, është padyshim një zë për t’u dëgjuar. Për këtë arsye edhe Shoqata e Siguruesve Shqiptarë i ka dhënë zë dhe është rreshtuar në përputhje me gjetjet e studimit të saj.
Në Shqipëri, projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet është në fazën e konsultimit publik. Drafti paraprak zvogëlon rolin e siguruesit privat në pozitat e një qendre shitjeje sigurimesh, pa krijuar hapësira për të shfrytëzuar përvojën e tyre në treg apo lidhjet me risiguruesit ndërkombëtarë.
