Vdes gruaja e Khameneit pas sulmit SHBA-Izrael

Sulmi SHBA-Izrael mbi Teheran, mediat iraniane: Vdes gruaja e Khameneit pas sulmit. Ngjarja ndodhi ditën kur u qëllua mbi Liderin suprem dhe 48 udhëheqës të tjerë.

Gruaja e Ajatollah Ali Khameneit, Mansoureh Khojasteh, 78 vjeç, ka ndërruar jetë pasi u plagos në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael të shtunën, sipas informacioneve të televizioneve shtetërore iraniane.

Televizioni shtetëror iranian, Press TV, në një postim në platformën sociale X të hënën në mëngjes, bëri të ditur se bashkëshortja e udhëheqësit suprem të Iranit kishte marrë lëndime në një sulm amerikano-izraelit dhe më pas vdiq si pasojë e tyre.

Gazeta “The Times of Israel” raportoi se Mansoureh Khojasteh, e cila ishte martuar me Khamenein në vitin 1964, ndodhej në komë që nga sulmet e së shtunës.

Gjatë fundjavës, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kryen sulme kundër Iranit, pas disa javësh tensionesh të shtuara mes dy palëve.

Menjëherë pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin dhe vende të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite.

Të shtunën, sulmet ajrore amerikane dhe izraelite rezultuan në vdekjen e Ajatollah Khameneit. Presidenti Trump njoftoi vdekjen e tij po atë pasdite përmes platformës Truth Social, duke e cilësuar si “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe duke theksuar se kjo ishte “Drejtësi për popullin e Iranit, por edhe për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe ata njerëz nga shumë vende në të gjithë botën, që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e banditëve gjakatarë.”

Sipas një postimi të Komandës Qendrore Amerikane (Centcom) të hënën, numri i ushtarëve amerikanë “të vrarë në aksion” gjatë operacionit ushtarak kundër Iranit arriti në katër. Vdekja e tre ushtarëve të tjerë amerikanë ishte njoftuar gjatë fundjavës.

Scroll to Top