Prapaskena: Ministri iranian ngriti zërin ndaj të dërguarit të Trump para sulmit
Kanë dalë detaje të reja nga takimi mes delegacionit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Iranit, zhvilluar të enjten në Gjenevë. Fokus kryesor i bisedimeve ishte gjetja e një marrëveshjeje lidhur me kërkesën e Teherani për të vijuar programin bërthamor.
Sipas informacioneve të zbuluara nga NBC News, takimi është karakterizuar nga tone të larta. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kishte ngritur zërin përpara Steve Witkoff, i cili është i dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Një zyrtar i lartë ka treguar se Araghchi filloi t’i bërtiste Wittkoff dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner, duke pretenduar se Irani ka një “të drejtë të patjetërsueshme” për pasurimin e uraniumit. Nga ana tjetër, Wittkoff u përgjigj se SHBA-të kanë një “të drejtë të patjetërsueshme” për të penguar Iranin.
“Nëse preferoni, unë mund të iki”, – thuhet se i tha Wittkoff Araghchi.
I njëjti burim vuri në dukje se anëtarët e delegacionit amerikan e informuan më pas Presidentin Trump, i cili nuk e fshehu “turpin” e tij për ngjarjen.
Disa orë më vonë, të shtunën në mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen sulme kundër Iranit. “Operacione të mëdha ushtarake” kundër Iranit kishin filluar, deklaroi Trump në një video të postuar në orën 2:30 të mëngjesit sipas kohës amerikane në llogarinë e tij në mediat sociale.
Vendimi i presidentit amerikan për të sulmuar Teheranin dhe për të eliminuar udhëheqjen iraniane erdhi pas negociatave të gjata mes dy palëve, të cilat e lanë atë të frustruar dhe të bindur se një zgjidhje diplomatike nuk ishte e mundur.
“Ata nuk ishin të gatshëm të ndalonin kërkimet e tyre bërthamore. Ata nuk ishin të gatshëm të thoshin se nuk do të pajiseshin me armë bërthamore. Shumë e thjeshtë”, – tha Trump.
Pjesa tjetër është histori.
©LAPSI.al
