McKennie rinovon me Juventusin deri në 2030

Juventusi ka blinduar mesfushorin amerikan Weston McKennie me një kontratë të re, ndërsa ai duket se ka luajtur pothuajse në të gjitha pozicionet në fushë.

Weston McKennie ka arritur një marrëveshje me Juventusin dhe së shpejti do të zyrtarizohet rinovimi i kontratës së tij deri në vitin 2030 me klubin bardhezi.

Sipas mediave italiane, lojtari do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të kontratës aktuale për sa i përket parametrave financiarë. Ai aktualisht përfiton 2,5 milionë euro, ndërsa kontrata e re parashikon 4 milionë euro fikse, plus shifra që mund të arrijë deri në 5 milionë euro në bazë të bonuseve dhe paraqitjeve.

Ky është një vlerësim i Juventusit për lojtarin, duke marrë parasysh kontributin e tij të gjithanshëm në fushën e lojës.

McKennie u transferua te Juventusi në verën e vitit 2020. Gjatë këtyre viteve, me përjashtim të periudhës së huazimit te Leeds, mesfushori, i cili noftohet si “Harry Potter”, ka kryer pothuajse të gjitha detyrat në fushën e lojës në 220 ndeshje me ekipin, duke qenë titullar në 170 prej tyre.

Ai ka luajtur duke u aktivizuar në të gjitha pozicionet e mundshme nën drejtimin e trajnerëve të ndryshëm që kanë drejtuar Juventusin, madje edhe si qendërsulmues, siç ndodhi në ndeshjen kundër Galatasarayt.

Të vetmet pozicione ku ai nuk është aktivizuar asnjëherë janë ato të qendërmbrojtësit dhe portierit.

Scroll to Top