Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës, akuza për bllokim

Berisha: Kërkoj dorëheqjen e Ramës për bllokimin e heqjes së imunitetit të Ballukut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai po bllokon dërgimin në Kuvend të raportit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Në një deklaratë për median, Berisha u shpreh se raporti i komisionit parlamentar ndodhet prej më shumë se një jave në dorën e kryeministrit dhe nuk është futur në rendin e ditës së Kuvendit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin fatin e tyre në dorë për të larguar qeverinë aktuale.

“Në emër të Partisë Demokratike, ripërsëris kërkesën e prerë për dorëheqjen e Edi Ramës si uzurpator i postit të kryeministrit të vendit. Edi Rama qëndron në pushtet tërësisht mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ai qëndron në pushtet për të mbrojtur vjedhjet e qindra dhe miliarda eurove të shqiptarëve. Qëndron në pushtet i bindur se në momentin e parë të largimit nga ajo karrige, ai përfundon. Nëse për Lubinë u thanë 36 vjet burg, u garantoj se për Ramën as 76 nuk mjaftojnë për serialin e veprave penale. Vetëm Porti i Durrësit është të paktën 60 vite burg. Po Edi Rama meriton tre jetë t’i kalojë në burgje për vjedhjet që ka bërë.”

“Deri në momentin që po jap këtë konferencë, ai nuk ka dërguar në kryesinë e parlamentit raportin për imunitetin e Ballukut. Them raportin e tij, sepse raporti është i anëtarëve të komisionit, por ai ka treguar se do ta shikojë. Ai e ka në dorë prej mbi një jave. Pra, është Rama vetë ai që bllokon dërgimin e raportit të anëtarëve të komisionit të partisë së krimit në kryesinë e parlamentit, për t’u futur këtë të enjte në axhendën e parlamentit.”

“Siç e shihni, të dashur qytetarë, gjithçka tregon se fati i Shqipërisë, fati juaj, fati i fëmijëve tuaj është vetëm në duart tuaja. Jeni ju dhe vetëm ju që mund të çlironi këtë vend nga kjo organizatë kriminale që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedhin, përçmojnë dhe poshtërojnë shqiptarët. Është sot më imperative se kurrë që shqiptarët të marrin në duar fatin e tyre, fatin e lirive të tyre, fatin e vendit të tyre,” tha Berisha.

Scroll to Top