Shqipëria & Kosova: Bashkëpunim ekonomik për integrim

Sejko: Shqipëria dhe Kosova, sfida të përbashkëta ekonomike për integrimin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pritur sot në një takim zyrtar delegacionin nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Delegacioni ishte i kryesuar nga akad. Justina Shiroka Pula, Kryetare, dhe përfshinte gjithashtu akad. Bardh Rugova, Sekretar Shkencor, dhe akad. Frashër Demaj, Sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore. Ata ishin të shoqëruar nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.

Takimi u zhvillua me synimin e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërakademik, duke targetuar zgjerimin e tij në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e konsoliduara mes Bankës së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai theksoi kontributin e çmuar të komunitetit akademik në hartimin e platformës shkencore dhe pasurimin e ekspozitës së Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Guvernatori nënvizoi se edukimi financiar i publikut, nxitja e kërkimit shkencor dhe promovimi i dijes përbëjnë shtylla thelbësore të misionit institucional. Ai shtoi se ndërveprimi me akademinë sjell vlera të shtuara dhe ndikim afatgjatë në shoqëri.

Ai theksoi se bashkëpunimi i mëtejshëm mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të ndihmojë në forcimin e kërkimit shkencor në fushat ekonomike dhe financiare. Gjithashtu, do të lehtësojë shkëmbimin e ekspertizës akademike dhe hartimin e iniciativave të përbashkëta me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin rajonal.

Më tej, Guvernatori u ndal në zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës, duke evidentuar se të dy vendet kanë struktura ekonomike të ngjashme dhe përballen me sfida të përbashkëta në procesin e integrimit evropian. Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe thellimi i marrëdhënieve dypalëshe janë elemente kyçe për përshpejtimin e reformave strukturore dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e avancimit të integrimit ekonomik dhe financiar mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të harmonizimit të kuadrit rregullator dhe rritjes së bashkëpunimit institucional. Ai shprehu se bashkëpunimi në fushat e politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, sistemeve të pagesave dhe kërkimit ekonomik mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e besimit të publikut në sistemet financiare të të dy vendeve.

Palët diskutuan gjithashtu mundësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta shkencore, konferencave dhe publikimeve studimore, si dhe shkëmbimin e ekspertizës në fusha me interes të ndërsjellë.

Në përfundim të takimit, palët shprehën angazhimin për të thelluar më tej bashkëpunimin institucional dhe akademik, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të forcimit të lidhjeve mes dy vendeve.

Scroll to Top