Platforma SelfCare sërish me probleme, shqetëson bizneset

Dhe telashet nuk kanë të sosur për SelfCare (dhe bizneset); Platforma sërish me probleme

Fillimi i vitit 2026 ishte stresues për ekonomistët, të cilët u përballën me mosfunksionimin e platformës “SelfCare”. Kjo platformë, përmes së cilës bizneset kryejnë veprimet administrative online, menaxhohet sërish nëpërmjet e-Albania.

Për ditë të tëra, platforma, të cilën bizneset e përdorin për:

  • Rakordimin e faturave
  • Fiskalizimin e faturave të importit
  • Lëshimin e faturave (për të vetëpunësuarit)
  • Dhe shërbime të tjera

ishte tërësisht jashtë funksioni. Rakordimi i faturave pengoi bizneset si në deklarimin e inventarëve, ashtu dhe në punën për mbylljen e bilanceve të vitit 2025. Përveç kësaj, ata shpenzuan edhe fundjavat duke pritur momentin kur SelfCare do të funksiononte.

Edhe kur sistemi u rikthye në punë në fund të janarit, kishte probleme aksesimi edhe në gjysmën e parë të shkurtit. Ndërsa javët e fundit sistemi ka qenë funksional në kuptimin që është e mundur të hysh në të, bizneset raportojnë se ai sërish po shfaq probleme në shërbimet e ofruara.

“Për muajin shkurt 2026 ka dublikime të faturave në platformën SelfCare”, thotë një ekonomist i një shkolle private. Një tjetër shton se, përveç dublikimit të faturave, ka edhe probleme me mungesën e tyre, apo ka raste që fatura është krijuar për marsin, por del për shkurtin.

Ekonomistët raportojnë se kanë bërë kërkesë për saktësim, por ndryshimet nuk janë reflektuar ende. Një ekonomiste thotë se, ndonëse fatura i shfaqet në sistem, është e pamundur që ajo të shkarkohet. “Nuk më dalin fare e-invoice dhe mi kërkojnë klientët për t’i paguar; nuk iu dalin as atyre faturat e mia në soft”, ankohet një tjetër.

Ekonomistët, të cilët krahas stresit të platformës me probleme, duhet të përballen edhe me presionin e bizneseve që kërkojnë llogari për një gjë që nuk e kanë në dorë, nuk u mbetet veçse të shpresojnë çdo ditë që SelfCare të funksionojë.

Scroll to Top