Buçpapaj rrëfen krimin: I rashë borisë për të hapur rrugën, por më shau
Shpallet dëshmia e Gazment Buçpapës, i arrestuar një ditë më parë, i akuzuar për vrasjen me thikë të Egli Pashollarit, pas një konflikti të ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. I marrë paraprakisht në pyetje nga oficerët dhe prokuroria, ai ka pretenduar se viktima e kishte ofenduar në prani të bashkëshortes së tij, duke i bllokuar rrugën me makinë.
“Egli Pashollari më shau nga makina. I rashë borisë për hapjen e rrugës. Unë veprova në kushtet e vetëmbrojtjes,” ka thënë Buçpapaj, duke shpjeguar arsyen pse përdori armën e ftohtë. Ai ka folur edhe për dinamikën e ngjarjes.
“Mora gruan në punë dhe u nisa për në spital, por gjeta rrugën e bllokuar. Unë i rashë borisë, por ai doli nga makina dhe më shau,” ka thënë i dyshuari.
Policia bëri me dije se Gazment Buçpapaj u lokalizua në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë. Ai akuzohet për veprat penale “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Kujtojmë se 31-vjeçari Egli Pashollari u vra pasditen e 20 shkurtit, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë. Bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon shitëse në një market pranë vendit të ngjarjes, i kishte treguar burrit se Pashollari e ngacmonte. Megjithatë, Buçpapaj pretendon se shkak kryesor ka qenë zënia e rrugës me makinë dhe ofendimet e Pashollarit.
