Kurti & Konjufca kërkojnë kandidaturë të dytë për President

Kurti dhe Konjufca i kërkojnë opozitës një kandidaturë të dytë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën të enjten se do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të Qeverisë, të mbajtur në mëngjesin e 5 marsit, në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë,” tha ai.

Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Konjufca, i cili mban postin e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u shpreh pas mbledhjes së Qeverisë se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kundërkandidat.

“Partitë politike, PDK-ja [Partia Demokratike e Kosovës] dhe LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosovës], duhet të përcaktohen që, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë, nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj,” tha ai.

Sipas Konjufcës, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Neni i Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit parashikon që presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Në rrethanat e tanishme, ky afat ishte 5 mars, përpara se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Kur kryeministri Albin Kurti u pyet nga gazetarët më 2 mars se pse nuk po e propozon Osmanin, ai la të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke theksuar se “ne duhet t’i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht”.

“Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por 84 apo 85,” shtoi Kurti.

Një kandidat për president duhet të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige. Kuorumi për votim arrihet me 80 deputetë. Në rast se në dy raundet e para një kandidat nuk arrin t’i sigurojë 80 vota, në votimin e tretë mjafton të ketë 61 vota.

Scroll to Top