Dyshohet si anëtar i Hamasit, i kërkuar nga Gjermania për furnizim armësh për sulme terroriste, arrestohet në Qipro
Autoritetet qipriote kanë arrestuar një shtetas nga Libani, i dyshuar si anëtar i organizatës Hamas dhe i kërkuar nga Gjermania për përfshirje në furnizimin me armë dhe municione për sulme terroriste.
Sipas raportimit të Reuters, që citon Zyrën e Prokurorit Federal Gjerman, i dyshuari, i identifikuar si Kamel M., u arrestua në Aeroportin e Larnakës më 6 mars, menjëherë pas mbërritjes së tij nga Libani. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian.
Të dielën, autoritetet kryen edhe një kontroll në apartamentin e tij në Berlin. Sipas hetimeve, i arrestuari dyshohet se ka organizuar në gusht 2025 transportin e rreth 300 fishekëve. Këta fishekë u dorëzuan te bashkëpunëtorë të tjerë përmes një personi të identifikuar si Mohamed S., i cili u arrestua në janar të këtij viti në kuadër të të njëjtit hetim.
Televizioni publik gjerman ARD raporton se autoritetet besojnë se armët po grumbulloheshin për sulme kundër institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës.
Pas arrestimit në Qipro, Kamel M. pritet të ekstradohet në Gjermani, ku do të paraqitet para gjyqtarit hetues në Gjykatën Federale të Karlsruhe.
