Programi i ri Kombëtar për Strehimin: Solucion për shtresën e mesme

Qeveria prezanton programin e ri për strehimin, Ibrahimaj: Shtrenjtimi i apartamenteve nga kërkesa

Qeveria ka prezantuar sot Programin e ri Kombëtar për Strehimin. Ministrja e Ekonomisë, Inovacionit dhe Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, në fillim të aktivitetit theksoi se strehimi, për shkak të rritjes së çmimeve, po bëhet i papërballueshëm për shtresën e mesme.

Ibrahimaj shpjegoi se rritja e çmimeve është ndikuar nga dinamika e kërkesë-ofertës, por sipas saj, nevojiten politika të reja strehimi që të mos fokusohen vetëm te shtresat në nevojë, por edhe te shtresa e mesme.

“Kërkesa e lartë për banim dhe për zonat turistike po ndikon në rritjen e çmimeve të banesave. Pavarësisht rritjes së ndërtimeve në vend, rritja e ofertës nuk është përkthyer në banesa më të përballueshme për qytetarët. Çmimet e banesave ndikohen nga kërkesë-oferta. Por ka një nevojë për politika që të kujdesen jo vetëm për shtresat në nevojë, por edhe për shtresën e mesme, si mjekët, policët, mësuesit dhe veçanërisht për çiftet e reja,” tha ministrja.

Ajo shtoi se për këtë arsye kërkohet zgjerimi i politikës së strehimit, duke kaluar në një sistem të integruar. Ky sistem do të ndërtohet bazuar në nevojat e njerëzve, pranë vendeve të punës, shkollave, etj.

Ministrja e Ekonomisë tha se do të identifikohen pronat publike, terrenet dhe territoret nga bashkitë. Enti Kombëtar i Banesave do të transformohet në një Shoqëri Aksionere publike, e cila jo vetëm do të ndërtojë, por edhe do të menaxhojë banesat.

“Kjo do të shoqërohet me një politikë financimi. Përveç 3% të taksës së strehimit, do të mblidhet një Fond Kombëtar për Strehimin. Ky fond do t’i bashkohet administrimit të stokut të banesave dhe do të përdoret për politikat e strehimit. Ka ardhur momenti që ky ndryshim të ndodhë dhe paratë të investohen në strehim,” përfundoi Ibrahimaj.

Scroll to Top