Moody’s rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”
Agjencia Moody’s ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin për borxhin e Shqipërisë në nivelin “Ba3”, duke i shoqëruar këtë vendim me një perspektivë “të qëndrueshme”. Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Moody’s thekson se stabiliteti makroekonomik u ruajt pavarësisht tri goditjeve të mëdha që prekën ekonominë shqiptare: tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane. Agjencia vlerëson qëndrueshmërinë, si dhe aftësinë e Shqipërisë për rimëkëmbje të shpejtë.
Moody’s nënvizon gjithashtu se perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike do të mbetet e qëndrueshme. Rritja reale e Prodhimit të Brendshëm (PBB) parashikohet prej 3.7% për vitin 2025 dhe 3.5% për vitin 2026. Kjo rritje pritet të nxitët kryesisht nga konsumi i fortë vendas dhe investimet në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë. Sektori i turizmit do të vazhdojë të mbetet një kontributor i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke përmirësuar eksportet e shërbimeve dhe investimet në ndërtim.
Në aspektin fiskal, Moody’s vlerëson trendin pozitiv të borxhit publik, i cili ka rifilluar rënien që prej vitit 2022, pas tre goditjeve të mëdha. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ra në 54.2% në vitin 2024, nga piku prej 74.1% i regjistruar në vitin 2021. Agjencia parashikon që borxhi publik të arrijë në 53.5% të PBB-së në vitin 2026, duke u mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe suficiti primar fiskal.
Moody’s vlerëson se autoritetet pritet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit. Këto rregulla synojnë garantimin e mbajtjes së një bilanci primar të paktën të balancuar, si dhe uljen e raportit të borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së çdo vit, derisa të arrijë nivelin prej 45%.
Investimet e huaja direkte kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve që vijnë nga deficiti i llogarisë korrente. Ky deficit, i cili qëndroi në 2.4% të PBB-së në vitin 2024, pritet të mbetet i qëndrueshëm rreth këtij niveli gjatë periudhës 2025-2026. Ky nivel është ndjeshëm më i ulët se mesatarja prej 7.3% të PBB-së, e regjistruar gjatë viteve 2017-2022.
Sektori financiar mbetet i kapitalizuar dhe likuid në mënyrë adekuate, ndërsa rreziqet potenciale vijojnë të jenë nën kontroll. Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga financimet e Bashkimit Europian dhe nga zbatimi gradual i reformave të lidhura me procesin e anëtarësimit.
Reformat, veçanërisht ato në fushat e sundimit të ligjit, masave kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjes, do të shërbejnë për të përshpejtuar procesin e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Integrimi ekonomik me Bashkimin Europian, si partneri tregtar më i madh i Shqipërisë, do të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme dhe do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me vendet anëtare.
Ky rikonfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues mjaft i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe progresit të vazhdueshëm të reformave strukturore. Ai dërgon sinjale pozitive për investitorët ndërkombëtarë dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
