Dita e Verës Tiranë: Festa, Muzika dhe Aktivitetet

Dita e Verës në Tiranë: Panaire, muzikë dhe aktivitete gjatë gjithë ditës

Dita e Verës u festua sot në Tiranë me një program të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, sportive dhe gastronomike. Kjo festë e lashtë pagane, e ruajtur ndër breza dhe e ndërthurur sot me elementë modernë, mblodhi qytetarë dhe turistë në sheshet e kryeqytetit.

Një nga atraksionet kryesore ishte ekspozimi i makinave retro, të zbukuruara me lule natyrale, në Sheshin Skënderbej, e cila tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.

Aktivitetet nisën në Parkun Europa me performanca muzikore nga artistë të rinj dhe vijuan pranë ministrive me aktivitete artistike të realizuara nga fëmijët. Ndërkohë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u organizua një panair artizanal me punime tradicionale, ndërsa Sheshi Nënë Tereza u dedikua aktiviteteve sportive për të gjitha grupmoshat.

Me muzikë tradicionale dhe këngë moderne, festa që simbolizon gëzimin dhe ardhjen e pranverës bashkoi fëmijë dhe të rritur.

Festimet kulmuan në mbrëmje me një “Street Party” në zonën e Ish-Bllokut, e cila zgjati deri në mesnatë me performanca nga artistë dhe DJ të ndryshëm.

Scroll to Top