Protesta në Kubë, sulmohet Partia Komuniste pas mungesës së energjisë

Protesta në Kubë për ndërprerjen e energjisë, sulmohet ndërtesa e Partisë Komuniste

Protesta të dhunshme shpërthyen në provincën Ciego de Ávila, rreth 460 kilometra nga Havana. Qytetarët sulmuan zyrat lokale të Partisë Komuniste të Kubës për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe mungesës së mallrave bazë.

Sipas mediave lokale, protestuesit hynë në ndërtesën e partisë në komunitetin Morón. Ata morën dokumente, kompjuterë dhe mobilje, të cilat më pas i dogjën në rrugë. Gazeta lokale “Invasor” raportoi se pesë persona janë arrestuar pas këtyre incidenteve, të cilat autoritetet i cilësuan si akte vandalizmi.

Kuba po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, mungesë karburanti dhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike. Pakënaqësia e qytetarëve është shfaqur gjithnjë e më shpesh përmes protestave.

Ndërkohë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të tensionuara. Presidenti amerikan Donald Trump ka ndjekur një politikë presioni maksimal ndaj Havanës. Kuba ka konfirmuar se është në negociata me SHBA-në dhe ka nisur lirimin e disa të burgosurve politikë, në një proces të ndërmjetësuar nga Selia e Shenjtë.

Scroll to Top