Rama kritikon Kuvendin për çështjen Balluku

Rama i ashpër me drejtësinë: Çështja Balluku është e mbyllur, vendosi Kuvendi

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Kuvendit për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Ai deklaroi: “Kuvendi i dha fund një debati dhe përplasjeje të gjatë mbi kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Çështja e deputetes Balluku, sipas meje dhe sipas nesh, është e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë kujdes dhe përgjegjësi gjithçka që iu vu në dispozicion dhe nuk autorizoi kërkesën. Ky veprim është në vazhdën e një tendence që nuk mund të vijojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion dhe përvetësime për interesa personale apo arsye që mund të pengojnë zhvillimin e hetimeve. Kjo sjell arrestime duke e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, si vendi me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar.

Deputeti është i barabartë para ligjit dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim. Por liria e tij nuk mund të kufizohet me një fjalë të përgjithshme apo me teorinë se gjyqtari dhe prokurori mund të bëjnë çfarë të duan. Ata nuk bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit. Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk sheh apo dëgjon dhe të refuzojë të bëjë punën e tij”, tha ai.

Scroll to Top