Rama refuzon heqjen e taksës; nafta rritet edhe me 10-14 lekë për litër
Çmimi i naftës është rritur sërish gjatë ditës së sotme, duke shënuar një rritje prej 10-14 lekë për litër. Aktualisht, çmimi ka arritur në disa pika të shitjes në nivelin 210 deri në 214 lekë për litër.
Kjo rritje reflekton lëvizjet në bursat ndërkombëtare, ku çmimi i naftës dhe gazit ka shënuar një kërcim në vlerat 115-199 dollarë për fuçi. Sulmet ndaj infrastrukturës kryesore energjetike në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet për mungesë globale furnizimi.
Katari ka njoftuar se sulmet me raketa nga Irani kanë dëmtuar një objekt kyç për eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Ky incident vjen pas paralajmërimeve të Teheranit për të goditur objekte energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve izraelite ndaj një impianti përpunimi gazi në Iran.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent për dorëzim në maj u rrit me rreth 11%, duke arritur në 119.11 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (ËTI) shënoi një rritje prej 3%, duke u shitur me 99.29 dollarë për fuçi.
Edhe çmimet e gazit janë rritur ndjeshëm. Në Europë, çmimi në qendrën holandeze TTF u rrit me 24%, duke arritur në 68.22 euro për megavat/orë, megjithëse më pas pati një stabilizim nga nivelet më të larta. Në SHBA, gazi natyror u rrit me 4.8%, duke shkuar në 3.21 dollarë për milion njësi termike britanike. Benzina për dorëzim në prill u rrit gjithashtu me 4.8%, duke arritur në 3.25 dollarë, niveli më i lartë në gati katër vite.
Rritje e shpejtë e çmimeve në tregun vendas
Reagimi në tregun vendas ka qenë i menjëhershëm. Një litër naftë, që tregtohej në nivelet 170-175 lekë në fund të shkurtit, është rritur disa herë, duke arritur sot në 210 lekë.
Operatorët e tregut shpjegojnë se një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje të shpejtë të çmimeve lidhet me mënyrën e pagesës së taksave. Pavarësisht datës së blerjes së mallit, taksat paguhen bazuar në çmimin e Platts në ditën kur produkti nxirret në treg.
Shoqata e Hidrokarbureve thekson se arsyeja kryesore e çmimit të lartë të naftës janë taksat. Këto të fundit aktualisht tejkalojnë 100 lekë për litër, duke përbërë pothuajse gjysmën e çmimit përfundimtar. Shoqata ka kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit, një masë që sipas tyre do të ulte automatikisht çmimin me rreth 30 lekë për litër. Megjithatë, qeveria ka shprehur qëndrim kundër kësaj kërkese.
