Ministri Karakaçi paralajmëron importuesit e naftës: Mund të krijohet Bordi i Transparencës
Çmimi i naftës ka shënuar një rritje sot deri në 14 lekë për litër, duke arritur vlerën mesatare prej 210 deri në 214 lekë.
I pyetur nga gazetarët mbi këtë zhvillim dhe masat që pritet të merren, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi, ka ripërsëritur se nuk do të ketë rishikime fiskale për karburantet.
Ministri Karakaçi u ka bërë thirrje kompanive të tregojnë kujdes me çmimet, duke theksuar se Bordi i Transparencës, i cili përcakton çmimet tavan, mund të krijohet shumë shpejt, vetëm me anë të një VKM (Vendimi i Këshillit të Ministrave).
“Kemi adoptuar një model tjetër, ku taksa e qarkullimit është e pranishme në të gjitha vendet e BE. Disa vende e mbledhin atë në pikat e karburantit, ndërsa të tjera e përfshijnë në pagesën e taksave të mjeteve. Ne kemi vlerësuar se mbledhja e taksës së qarkullimit në pikën e karburantit është mënyra më e mirë, pasi ata që përdorin më shumë makinën, paguajnë më shumë taksë,” tha ai.
Ai shtoi se situata e tregut të karburanteve po monitorohet në mënyrë dinamike, duke u vënë në dukje edhe modelet e ndryshme të vendimmarrjes në rajon. “Ky bord është funksional dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Mekanizmi është gati dhe mund të aktivizohet menjëherë. Kemi vlerësuar se me mesazhe të qarta drejtuar grupeve të interesit, ata do të kuptojnë rëndësinë e situatës. Bordi është aty dhe mund të ngrihet shumë shpejt.”
Ministri Karakaçi gjithashtu ka sqaruar se nuk do të ketë mungesa të produktit në treg. “Të gjitha informacionet që kemi tregojnë se ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin e kompanive shqiptare. Mbi 90% e furnizimit tonë vjen nga rrugë të tjera detare,” tha ai.
Ky deklarim vjen pas propozimit të Shoqatës së Hidrokarbureve për heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe transferimin e saj në një tarifë fikse për mjetet. Si pasojë, deputetët e opozitës, duke dorëzuar një amendament në Kuvend, kanë kërkuar uljen e taksës së qarkullimit.
