Një aeroplan transporti ushtarak është rrëzuar në Kolumbi, duke shkaktuar të paktën 8 viktima dhe 83 të plagosur.
Një aeroplan transporti C-130 i Forcave Ajrore Kolumbiane u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Puerto Leguizamo, në departamentin e Putumayo, pranë kufirit me Perunë.
Sipas të dhënave paraprake, të paktën 8 persona kanë humbur jetën dhe 83 të tjerë janë plagosur. Nga këta, 14 persona ndodhen në gjendje kritike.
Pamjet televizive nga Kolumbia tregojnë rrënojat e djegura të avionit Hercules C-130 në një zonë të pyllëzuar, vetëm 3 kilometra larg zonave të banuara.
Pas një mbledhjeje të qendrës rajonale të menaxhimit të krizave, guvernatori i Putumayo, John Gabriel Molina, konfirmoi vdekjen e tetë personave në bord dhe raportoi se gjendja e 14 nga 83 personat e plagosur të shtruar në spital ishte përshkruar si “kritike”.
Më herët, Komandanti i Krahut Carlos Fernando Silva, kreu i Forcave Ajrore, kishte njoftuar se në aeroplanin C-130 gjendeshin gjithsej 125 persona, përfshirë 114 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit.
Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, deklaroi se rrëzimi ndodhi menjëherë pas ngritjes së aeroplanit nga Puerto Leguizamo.
