Merz vendos: 80% e sirianëve në Gjermani duhet të kthehen në vendin e tyre
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se 80% e rreth 1.3 milionë sirianëve që aktualisht jetojnë në Gjermani duhet të riatdhesohen brenda tre viteve të ardhshme. Sipas mediave, ai premtoi mbështetje financiare për Damaskun.
“Ne kemi nevojë për një opsion të besueshëm riatdhesimi dhe bashkëpunim me Sirinë, veçanërisht për ata që abuzojnë me mikpritjen tonë. E njëjta gjë vlen edhe për ata që nuk respektojnë ligjet tona,” tha kancelari në një konferencë për shtyp me presidentin sirian Ahmad al-Saraa, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Gjermani.
Merz nënvizoi gjithashtu se kushtet e përgjithshme në Siri janë përmirësuar ndjeshëm, duke bërë që nevojat për mbrojtje të shtetasve sirianë të rivlerësohen.
“Kushdo që nuk ka më të drejtë të qëndrojë në Gjermani do të largohet. Kjo vlen veçanërisht për ata që abuzojnë me mikpritjen tonë dhe nuk respektojnë ligjet gjermane,” shtoi ai, ndërsa premtoi ndihmë financiare prej 200 milionë euro për tre vjet.
Presidenti sirian, Ahmad al-Saraa, nga ana e tij, theksoi se sirianët në Gjermani janë të mirëpritur në atdheun e tyre dhe falënderoi gjermanët që u ofruan strehë kur ata u kërcënuan nga Bashar al-Assad.
“Duke parë drejt së ardhmes, kemi një vizion të përbashkët për rindërtimin e Sirisë. Duam gjithashtu të luftojmë terrorizmin dhe të gjithë sirianët që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë drejtim mund të kthehen në çdo kohë. Synimi ynë është të bëhemi një shtet ligjor me një kushtetutë të fortë, e cila do të respektojë dinjitetin njerëzor,” tha al-Saraa.
Gjatë vizitës së tij në Berlin, presidenti sirian u prit edhe nga presidenti federal Frank-Walter Steinmeier dhe mori pjesë në një forum ekonomik gjermano-sirian në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ministri i Jashtëm Johan Vandeful premtoi mbështetjen gjermane për rindërtimin e Sirisë.
“Sirianët meritojnë një shans dhe ne duam të ndihmojmë në shfrytëzimin e këtij potenciali. Potenciali afatmesëm dhe afatgjatë për shkëmbime ekonomike mes dy vendeve është i konsiderueshëm,” tha ai.
Ministrja e Ekonomisë, Katerina Reiche, gjithashtu foli për një potencial të madh bashkëpunimi mes kompanive siriane dhe gjermane, veçanërisht në fushat e energjisë, ndërtimit, inxhinierisë dhe teknologjisë së informacionit.
