Edi Rama: Libri, gjuha shqipe, besimi dhe harmonija fetare

## Rrëfimi i Edi Ramës: Nga besimet fetare te dashuria për gjuhën shqipe

Në një intervistë për “Exclusive” në Top Channel, Kryeministri Edi Rama flet për librin e tij më të ri, “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje refleksionesh nga iftaret e organizuara gjatë viteve të shërbimit të tij. Ai thekson se botimi i librit lindi, ndër të tjera, edhe nga dashuria e tij e thellë për gjuhën shqipe.

Rama tregon se libri sjell në vëmendje dimensionin kulturor, social dhe shpirtëror, me fokus raportin e njeriut me besimin. Ai flet për dashurinë për gjuhën shqipe, për shqiptarët, traditën e bashkëjetesës fetare, si dhe për gjestet e padukshme mirësie që lidhin njerëzit.

### Dashuria për gjuhën shqipe dhe kujtimet nga rinia

Kryeministri shprehet se arsyeja e botimit të librit është dashuria për gjuhën shqipe, një ndjenjë që e ka shoqëruar që në rininë e tij. Ai kujton periudhën e librave të ndaluar dhe sfidat për t’u pasur akses tek ato, duke përshkruar episode të veçanta nga jeta e tij studentore, kur ai dhe miqtë e tij gjenin mënyra për t’i lexuar ato vepra. Këto përvoja, sipas tij, kanë ushqyer pasionin për artin dhe kanë nxitur ëndrrën për të bërë gjëra të mëdha.

### Leximi në ditët tona

Duke folur për leximin sot, Rama thekson se kohët kanë ndryshuar dhe nuk është e lehtë të gjesh kohë për të lexuar sistematikisht. Ai lexon, por kryesisht për arsye detyre dhe fokusohet në drejtime që lidhen me punën e tij. Një pjesë e leximeve bëhen përmes librave, ndërsa një pjesë tjetër, jo e vogël, kryhet nëpërmjet telefonit.

### Trashëgimia e besimeve dhe harmonia fetare

Kryeministri flet për raportin e tij me besimin, duke theksuar se është pagëzuar katolik, por nuk praktikon ritualet fetare në mënyrë strikte. Ai shprehet se kjo qasje i ka mundësuar të shohë me respekt dhe kuriozitet fetë e të tjerëve, duke kuptuar që në to reflektohet i njëjti Zot. Kjo bindje ka nxitur idenë e krijimit të “Parkut të Besimit”, një hapësirë ku fetë e ndryshme mund të njihen përmes natyrës dhe librave të shenjtë.

Rama e konsideron bashkëjetesën fetare një vlerë të shtuar të shqiptarëve dhe një sistem të rëndësishëm sigurie për paqen. Ai përmend se larmia fetare ka krijuar plagë në shumë shoqëri, ndërsa në Shqipëri ajo është ruajtur si harmoni. Ndryshe nga skeptikizmi i të huajve në të kaluarën, sot ata kanë filluar të perceptojnë më mirë këtë realitet.

### Vlera e shqiptarëve dhe raporti me të huajt

Kryeministri nuk beson te vlerësimet e përgjithshme të popujve, duke thënë se çdo komb ka forcat e veta të dritës dhe të errësirës. Megjithatë, ai mendon se shqiptarët kanë arsye për të qenë krenarë për paraardhësit e tyre, për mënyrën se si kanë mbijetuar dhe për veprën e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç ishte mbrojtja e hebrenjve. Ai shprehet mirënjohës që është shqiptar dhe nëse do të zgjidhte, do të ishte sërish shqiptar.

Rama vë në dukje se shqiptarët janë më të mirë me të huajt sesa me njëri-tjetrin, duke e lidhur këtë fenomen me sjelljen e hapur dhe të zhurmshme me bashkatdhetarët, që mund të jetë përkeqësuar nga izolimi dhe poshtërimi.

### Besimi në kohëra moderne

Duke u kthyer te besimi, Kryeministri shprehet se njerëzit sot besojnë po aq sa edhe para internetit, ndoshta edhe më shumë, por jo domosdoshmërisht përmes institucioneve fetare. Ai beson se njeriu ka nevojë për besimin si një mënyrë për të shpjeguar gjëra që shkenca nuk arrin t’i adresojë plotësisht. Komunitetet fetare, sipas tij, ofrojnë mundësinë për të ndarë vlera që ndihmojnë njeriun në jetën e përditshme. Ai shtron edhe pikëpamjen se edhe sikur Zoti të mos ekzistonte, njeriu ka bërë mirë që e ka shpikur besimin.

### Polarizimi shoqëror dhe sfidat e së ardhmes

Duke folur për ndarjen mes të pasurve dhe të varfërve, Rama pranon se polarizimi është një problem në shoqëritë kapitaliste, veçanërisht për shkak të globalizmit dhe përqendrimit të pasurisë. Megjithatë, ai thekson se nga pikëpamja faktuale, bota nuk ka qenë kurrë më mirë sa sot, duke përmendur përmirësimin e kushteve sa i përket urisë, ujit, shërbimeve, arsimit dhe shëndetësisë. Ai shtoj se platformat sociale kanë rritur ndjesinë e konfliktit duke ekspozuar pasuritë e mëdha dhe duke theksuar hendekun mes elitave dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

### Udhërrëfimi drejt së mirës dhe së drejtës

Kryeministri beson se në rolin e tij, është gjithmonë e arritshme të mos zgjedhësh të keqen apo padrejtësinë me qëllim, edhe pse vendime të marra në mirëbesim mund të mos jenë gjithmonë të drejtat. Ai citon Dostojevskin, duke thënë se “Këtë botë do ta shpëtojë e bukura”, duke nënkuptuar se bukuria e artit, poezisë, shkencës, nuk ka penguar njerëzimin të bëjë vepra të këqija, por përpjekja për t’u përsosur dhe për të lënë gjurmë mbetet thelbësore. Ai thekson se jeta është një çështje zgjedhjesh dhe se njeriu ka lirinë të zgjedhë, ndërkohë që beson në gjykimin përfundimtar, veçanërisht gjykimin e atyre që të kanë njohur dhe të kanë besuar.

Duke përfunduar, ai thekson rëndësinë e kujtimit të mirë, siç thoshte edhe i ati i tij. Përsa i përket Parkut të Besimit, ai shprehet se do të kërkojë vite për t’u realizuar plotësisht, por shpreson të mos humbet kohë për ta filluar.

Scroll to Top