Ulje Yield Borxhit të Brendshëm, Kosto Huamarrjeje më E Ulët

Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ra përsëri në tremujorin e parë të vitit

Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm publik pësoi rënie të mëtejshme në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të marsit ra në 4.19%, nga 4.23% që kishte qenë në fund të vitit 2025 dhe 4.42% që kishte qenë një vit më parë.

Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.33%, nga 4.35% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët që prej vitit 2022. Kjo periudhë u karakterizua nga kriza inflacioniste, e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, e cila çoi në një rritje të fortë të normave të interesit në tregjet financiare.

Ecuria e yield-it mesatar konfirmon një prirje përgjithësisht në rënie të kostos së huamarrjes së qeverisë shqiptare edhe në tremujorin e parë të vitit. Yield-i mesatar i borxhit ka pësuar rënie, megjithëse Ministria e Financave ka vijuar të rrisë maturitetin mesatar. Kjo është arritur nëpërmjet shtimit të peshës specifike të instrumenteve afatgjata në strukturën e huamarrjes së re.

Në fund të marsit, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit më tej në 1164 ditë, nga 1002 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2025. Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.

Yield-et e bonove dhe obligacioneve përgjithësisht kanë vazhduar tendencën në rënie gjatë tremujorit të parë, falë gjendjes së mirë të likuiditetit në treg dhe kërkesës së lartë nga investitorët. Megjithatë, duke filluar nga muaji mars janë shfaqur sinjalet e para të frenimit të rënies së yield-eve dhe një rritje e lehtë e tyre, sidomos në instrumentet më afatgjata.

Kjo rënie ishte pjesërisht një korrigjim nga nivelet mjaft të ulëta ku kishin arritur në periudhën janar-shkurt. Por, pjesërisht, ajo reflekton edhe forcimin e pritshmërive inflacioniste, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimit të naftës që prej fillimit të muajit mars. Këto sinjale sidoqoftë ngelen ende të përmbajtura, në mungesë të lëvizjeve të Bankës së Shqipërisë, e cila ende nuk ka ndërhyrë në rritjen e normave të interesit.

Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund të tremujorit të parë 2026 arriti në 795 miliardë lekë, me një rritje modeste të vlerës nominale prej 1.8% krahasuar me një vit më parë. Në terma realë, borxhi i brendshëm publik vlerësohej sa 28.59% e PBB-së, në rënie nga niveli prej 29.81% që kishte qenë një vit më parë.

Gjithmonë sipas Ministrisë së Financave, borxhi publik total në fund të tremujorit të parë të këtij viti ishte sa 48.79% e PBB-së, nga 54.18% që vlerësohej një vit më parë.

Scroll to Top