Abdixhiku e pret me përqafime në LDK/ Osmani sulmon Kurtin: “I pangopur!”
“Dua t’ju them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time”. Këto ishin fjalët e Vjosa Osmanit që nxitën brohoritje të shumta në tubimin që mbajti në Prishtinë me Lumir Abdixhikun.
“Nuk ka fjalim që mund të shprehë atë që po ndiej në këto momente, megjithatë do të provoj”, u shpreh Osmani e emocionuar para mbështetësve kur mori fjalën në ngjarjen e pagëzuar si “Tubimi i Bashkimit”.
“Motra e vëllezër, mirë se ju rigjeta”, u tha Osmani përkrahësve të saj.
Osmani tha se gjatë tërë vizitave të saj në terren dhe në çdo shtrëngim duarsh, ishte vetëm një zë që dëgjonte: “kthehu në shtëpi”.
“Dua të ju them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time. Këtu ku nisi ëndrra e përbashkët për Kosovën e lirë, të pavaruar e demokratike, dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”.
Ajo shtoi se kanë pasur mospajtime e dallime, por “disa lidhje nuk i këput as koha, as distanca e as politika. Ky bashkim është dëshmi që dimë të jemi më të mëdhenj se ndasitë tona”.
Osmani ishte e ashpër me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, i cili sipas saj po “kërcënon me zgjedhje çdo tre muaj dhe që refuzoi 51% nga populli”.
Në fjalimin e saj, Osmani tha se “njëra është rruga e izolimit dhe krizës së përhershme, në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë”, tha Osmani.
“Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e cdo njërit që interesin shtetëror e vendosin para atij partiak”, vijoi ajo.
Duke shtuar se vendi shkoi “në zgjedhje të panevojshme dhe ja refuzuan popullit 51 përqind vetëm për të eliminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
“Rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, rruga e shtetit serioz…”, deklaroi Osmani.