Trajneri i Liverpulit, Slot, i vetëdijshëm për sfidën: PSG më e fortë, rrezikojmë humbje si me Manchester City
Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, ka dhënë një paralajmërim të qartë për ekipin e tij, duke theksuar se nëse paraqitja e tyre në ndeshjen e ardhshme do të jetë e ngjashme me atë të humbjes së thellë në FA Cup kundër Manchester City, atëherë PSG do të jetë në gjendje t’u shënojë sërish katër gola në ndeshjen e parë të çerekfinales së Champions League.
Slot, i cili po përballet me presion në rritje nga tifozët e pakënaqur të Liverpulit, ka mirëpritur deklaratat e kapitenit Virxhil van Dajk pas humbjes. Van Dajk kishte sugjeruar se disa nga shokët e skuadrës “kishin hequr dorë” gjatë pjesës së dytë, pas një periudhe katastrofike 20-minutëshe rreth pushimit, ku ekipi pësoi katër gola. Ndeshja përfundoi me rezultatin 4-0.
Trajneri këmbënguli se nëse Liverpuli mbështetet te historia e tij e pasur e rezistencës dhe karakterit në Champions League dhe arrin të luajë si në 35 minutat e para kundër City-t në “Etihad”, atëherë mund të befasojë PSG-në dhe të kualifikohet në gjysmëfinale.
“Mund t’ju them se nëse kemi ato 20 minuta si ndaj City-t, nëse i kemi edhe sot në mbrëmje këtu, do të pësojmë sërish katër gola,” tha Slot. “Sepse lojtarët e PSG-së e dinë si të reagojnë nëse ne kemi një periudhë të tillë loje. Pra, është një sfidë për ne që nga sekonda e parë deri në të fundit të jemi në nivelin që ishim në 35 minutat e para ndaj City-t. Nëse jo, do të jetë një mbrëmje shumë e vështirë përsëri, si vitin e kaluar, kur merituam plotësisht të humbnim 4-0 këtu, ndoshta edhe më shumë. Por kjo është bukuria e futbollit. Në minutën e 85-të shënuam një gol dhe menduam: ‘uau, kjo ishte një vjedhje’,” shtoi ai në “Parc des Princes” të martën në mbrëmje.
Liverpuli, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të portierit Alisson, kishte arritur një fitore 1-0 në Francë në fazën e 1/8-ve sezonin e kaluar, por më pas humbi me të njëjtin rezultat në “Anfield” dhe u eliminua pas penalltive.
Slot pranoi se PSG-ja, që më pas fitoi për herë të parë Champions League, është tani një skuadër edhe më e fortë, ndërsa Liverpuli është në një fazë tranzicioni. Kjo fazë tranzicioni tregohet edhe nga afrimet e lojtarëve si Florian Wirtz, Hugo Ekitiké dhe Alexander Isak, si dhe largimi i mundshëm i Mohamed Salah.
Isak ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit të tij të parë në Angli të dëmtuar, por ka udhëtuar në Paris dhe Slot tha se, edhe pse nuk do të jetë titullar, mund të japë kontribut nga stoli në ndeshjen e parë.
“Ajo që tha Virxhil ka shumë kuptim,” shtoi Slot. “Është një ndjesi krejtësisht normale ajo që ai ndau pas ndeshjes. Ishte ndjesia e çdo lojtari, çdo anëtari të stafit dhe çdo tifozi të Liverpulit. Të gjithë ishin të zhgënjyer nga ai rezultat. Tani duhet të tregojmë përsëri atë mentalitet. Të vazhdojmë përpara dhe të ngrihemi pas zhgënjimit, sepse ky klub ka treguar shumë herë se mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme në rrethana të vështira,” përfundoi Arne Slot.
