Tjetër skemë mashtrimi me mesazhe, policia bën apel për kujdes
Një tjetër skemë mashtrimi po qarkullon në vend përmes telefonit.
Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për mesazhe SMS që u dërgohen qytetarëve në emër të platformës e-Albania. Mesazhet njoftojnë në mënyrë të rreme për pagesa të pretenduara të gjobave për automjete.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo skemë është e ngjashme me një rast të mëparshëm ku mashtrimi bëhej në emër të Postës Shqiptare. Për rastin e fundit, është bërë edhe kallëzim pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Autoritetet bëjnë me dije se mesazhet përmbajnë linqe të falsifikuara, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët dhe të përvetësojnë të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Në këtë kuadër, Policia apelon që qytetarët:
- Të mos klikojnë në linqe të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur.
- Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara.
- Të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.
