Lindja e Mesme në konflikt: Izraeli kryen dhjetëra sulme në Liban brenda minutave
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur mbi 100 objektiva, të cilat i ka cilësuar si pika të Hezbollahut në Bejrut, Luginën e Bekaa dhe në jug të Libanit. Këto sulme ajrore, sipas tyre, janë kryer në harkun kohor prej vetëm 10 minutash.
Ministria e Shëndetësisë së Libanit ka raportuar se të paktën 89 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur. Një zyrtar i lartë nga Irani ka paralajmëruar se Izraeli do të “ndëshkohet” për atë që ai e ka cilësuar si “krim”.
Sipas raportimeve të Al Jazeera, sulmet ajrore izraelite kanë shënjestruar ndërtesa banimi, xhami dhe automjete në të gjithë vendin. Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në disa zona. Disa nga goditjet kanë prekur edhe qendrën e Bejrutit.
Një ndërtesë në lagjen Corniche al-Mazraa raportohet se është rrafshuar plotësisht. Sulme të tjera kanë goditur periferitë jugore të kryeqytetit. Izraeli ka intensifikuar gjithashtu sulmet në jug dhe lindje të Libanit, me goditje të shumta të raportuara në qytetet bregdetare si Tiro dhe Sidon.
Burime raportojnë se një sulm ajror gjatë një funerali në një fshat në Libanin lindor ka shkaktuar 10 viktima. Gjithashtu, raportohet për gjashtë të vrarë në Sidon, tre në Bejrutin perëndimor, tre vajza në qytetin bregdetar të Adloun dhe dy persona në Luginën e Bekaa.
